Ish-ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber, ka uruar pasuesin e saj në këtë detyrë, Ervin Bushatin, i cili u emërua me dekret të Presidentit të hënë (10 korrik).
Në një postim në Facebook, Faber e konsideron zgjedhjen e Bushatit në këtë pozicion si të “shumë mirëmenduar dhe largpamës”, duke e parë atë si një person me potencial për t’i çuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA në një nivel tjetër.
“Më lejoni t’ju jap urimet më të mira dhe më të sinqerta për dekretimin tuaj si Ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Ju vini në këtë detyrë me një bagazh shumë të pasur politik dhe ekonomik. Kuptoj që zgjedhja juaj është shumë e mirëmenduar dhe largpamëse. Ju keni potencialin e jashtëzakonshëm për t’i sjellë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, si dhe punën e Ambasadës në Uashington në një nivel tjetër”, shkruan ajo.
Faber ka bërë edhe një bilanc të punës së bërë prej saj që nga viti 2105, duke përmendur ngritjen e grupit të parë të miqësisë në Senatin Amerikan dhe zgjerimin e këtij grupi në Kongres, apo realizimiin e vizave 10-vjeçare.
“Unë kam patur nderin e lartë që të jem e dekretuar si Ambasadore në Shtetet e Bashkuara që në Janar 2015. Besimi i jashtëzakonshëm që mu dha në atë kohë, erdhi me një përgjegjësi shumë të madhe për të kryer një detyrë sa të nderuar aq dhe delikate. Unë sillja me vete një eksperiencë të gjerë profesionale dhe një integritet shumë të lartë, si dhe një përvojë mbi 15-vjeçare në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Gjatë ushtrimit të detyrës kam qenë pjesë e rëndësishme e realizimit të disa arritjeve në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, për të cilat jam shumë krenare. Në më shumë se tetë vite në detyrë, Ambasada e Shqipërisë në Uashington DC ka mundur të japë kontribut të qenësishëm në thellimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë, me shumë rezultate konkrete si thellimi i dialogut strategjik, ngritja e grupit të parë të miqësisë në Senatin Amerikan dhe zgjerimi i këtij grupi në Kongres (nga 3 në 24 kongresmenë) realizimi i vizave 10-vjeçare dhe së shpejti udhëtimi me pasaportat shqiptare deri në datën e vlefshmërisë, sjellja e kompanive amerikane dhe puna me kompanitë në fushën e IT-së, realizimi i një numri marrëveshjesh në fushën ekonomike, të sigurisë, të kulturës, të arsimit, puna e ngushtë me komunitetin shqiptar të cilin e kam vizituar në çdo cep të të gjithë SHBA-ve, si dhe ngritja e ndjeshme e profilit të Ambasadës së Shqipërisë në DC”, thekson ish-ambasadorja.
Faber shton se ambasada shqiptare në SHBA ka qenë një derë e hapur për qytetarët me origjinë shqiptare, por po ashtu edhe për qytetarët amerikanë.
“Ambasada jo vetëm ka qenë një interlokutor i fuqishëm në gjithë zhvillimet e viteve të fundit, por ka qenë dhe një derë e hapur për qytetarët me origjinë shqiptare si edhe për qytetarët amerikanë, me mijëra prej të cilëve kanë vizituar ambasadën dhe janë informuar mbi potencialin turistik të Shqipërisë dhe trashëgiminë e pasur kulturore. Për tre vite ambasada ka sjellë në Uashington të rinj shqiptarë nga komuniteti në gjithë SHBA-të për t’u takuar me institucionet amerikane që punojnë me Shqipërinë. Një numër anëtarësh të kongresit dhe senatit kanë vizituar gjatë viteve Shqipërinë. Së shpejti do largohem nga kjo detyrë, e kënaqur se kam bërë maksimumin për t’i shërbyer vendit tim me të gjitha sa kam patur mundësi, duke lënë të hapura një numër rrugësh të reja ku ky bashkëpunim mund të thellohet. E bindur që puna juaj do t’i shërbejë vijimit të kësaj pune dhe do t’i shërbejë më shumë forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ju uroj vetëm suksese”, përfundon postimin e saj Faber.
Të hënën, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me propozim të Kryeministrit, Edi Rama, dekretoi të hënën lirimin dhe emërimin e disa ambasadorëve që nga SHBA, Gjermani, Turqi, e deri në Malin e Zi.