Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka pranuar të gjitha propozimet e qeverisë Rama për të liruar dhe emëruar disa diplomatë shqiptarë dhe per t’i zevendesuar ata me ish-deputetë të Partisë Socialiste.
Bajram Begaj ka firmosur lirimin nga detyra të Visha Ajazi Likës, ish kreut të SHISH, i cili shërbente si ambasador në NATO.
Në këtë post Qeveria Rama ka vendosur të caktojë ish-deputetin e PS-së, Ilir Gjoni, ky i fundit ka qenë dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
Po ashtu me dekret, Begaj ka liruar nga detyra, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Qirjako Qirko dhe në këtë post ka emëruar Uran Ferizin.
Nga ana tjetër, si ambasadorë të rinj janë emëruar, analisti Mustafa Nano, i cili do shërbejë në Zvicër në vend të Ilir Gjonit.
Ndërkohë që ish deputeti i PS-së, Fatmir Velaj, piktori i njohur, do të jetë ambasador në Austri,në vend të Roland Bimos.
Ish-deputetja tjetër e PS, Vasilika Hysi do të shkojë në Gjenevë, post që e mbante Ravesa Lleshi, vajza e ish-ministrit te Mbrojtjes se komunizmit, Ismail Lleshit. Kjo e fundit u lirua po sot me dekret të propozuar nga qeveri Rama.
Njoftimi:
Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, bazuar në nenin 92, shkronja “dh”, nenin 93 të Kushtetutës, si dhe nenin 26, pika 2 të ligjit nr. 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë” me propozim të Kryeministrit, dekretoi lirimet dhe emërimet e Ambasadorëve si më poshtë vijojnë:
1. Lirohet me Dekret nr. 125 datë 12.7.2023 z. Roland Bimo nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Austrisë, rezident.
2. Lirohet me Dekret nr. 126 datë 12.7.2023 z. Visho Ajazi Lika nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në NATO, rezident.
3. Lirohet me Dekret nr. 127 datë 12.7.2023 z. Qirjako Qirko nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, rezident, dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Irlandë, jorezident.
4. Lirohet me Dekret nr. 128 datë 12.7.2023 z. Ilir Gjoni nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës, rezident, dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Principatën e Lihtenshteinit, jorezident.
5. Lirohet me Dekret nr. 129 datë 12.7.2023 znj. Ravesa Lleshi nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë, pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident.
6. Emërohet me Dekret nr. 135 datë 12.7.2023 znj. Majlinda Frangaj Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë në Vatikan, rezident.
7. Emërohet me Dekret nr. 130 datë 12.7.2023 z. Fatmir Velaj Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Austrisë, rezident.
8. Emërohet me Dekret nr. 131 datë 12.7.2023 z. Ilir Gjoni Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në NATO, rezident.
9. Emërohet me Dekret nr. 134 datë 12.7.2023 znj. Vasilika Hysi Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë, pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident.
10. Emërohet me Dekret nr. 132 datë 12.7.2023 z. Uran Ferizi Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, rezident, dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Irlandë, jorezident.
11. Emërohet me Dekret nr. 133 datë 12.7.2023 z. Mustafa Nano Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës, rezident, dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Principatën e Lihtenshteinit, jorezident.