Një grup ndërkombëtar i përbërë nga 11 mijë shkencëtarë, përmes një letre të botuar ka paralajmëruar për një emergjencë klimatike që mund të çojë në vuajtje të pallogaritshme nëse nuk merren veprime më serioze për të luftuar ndryshimet klimatike.
Në letrën e tyre, pesë shkencëtarë dhe mijëra bashkënënshkrues theksuan se jo vetëm që ka filluar kriza klimatike, por ajo po përshpejtohet shumë më shpejtë nga ajo që pritnin shkencëtarët.
“Kjo krizë është shumë më e rëndë nga ajo që parashikohet duke kërcënuar ekosistemet natyrore dhe fatin e njerëzimit”, shkruajnë shkencëtarët William Ripple, Christopher Wolf, Thomas Newsome, Phoebe Barnard dhe William Moomaw në letrën e botuar në revistën shkencore ”BioScience”.
Sipas tyre, më shqetësuese janë pikat klimatike të pakthyeshme dhe reagimet përforcuese të natyrës të tilla si ato atmosferike, detare dhe tokësore, të cilat siç theksojnë, mund të çojnë në një Tokë të nxehtë përtej kontrollit të njerëzve.
Autorët deklaruan se së fundmi janë inkurajuar nga rritja e shqetësimeve lidhur me ndryshimet klimatike, mes zhvillimeve të shumta duke përmendur veprimet qeveritare dhe protestat studentore.
Botimi i kësaj letre vjen disa ditë pasi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, filloi procesin për të larguar Uashingtonin nga Marrëveshja historike Klimatike e Parisit, që kërkon të luftohen ndryshimet klimatike me reduktimet e ndërsjellta të emetimeve të klimës./ATSH/