Të paktën 6 nga 210 kandidatë apo zyrtarë të verifikuar, figurojnë në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Deklarata është bërë nga Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, gjatë raportit për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2022 të enjten në arlament.
Sipas zonjës Sula “Ka pasur 65 kërkesa institucionale, 555 aplikime individuale, 9 kërkesa për bashkëpunëtorë, 295 kërkesa për qëllime rehabilitimi e dëmshpërblimi dhe për pajisjen me vërtetim për periudhën e internimit apo burgimit; 122 kërkesa studimore e mediatike, me 463 dosje të vëna në dispozicion, me rreth 60.771 faqe”.
Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit tha ndërkohë se janë deklasifikuar 74.579 fletë dokumente arkivore, dixhitalizuar 1019 dosje fizike dhe 175 dosje të mikrofilmuara, me total dokumente arkivore dhe mikrofilma në 155.844 fletë të digjitalizuara. “Me ndryshimet ligjore, pritet një pesëfishim i dokumenteve të deklasifikuara” tha ajo.
Zonja Sula tha se gjatë vitit 2022, u intensifikua bashkëpunimi me institucionet qeveritare për qartësimin e fatit të të zhdukurve në komunizëm.
Ajo tha se Shqipëria është tashmë pjesë e Rrjetit Evropian të Institucioneve të ish-Policive Sekrete dhe vijon të jetë e pranishme si anëtare vëzhguese e ENRS.