Regjisori i filmit “Titanic”, James Cameron, është në bisedime për të realizuar një serial dramatik rreth katastrofës së nëndetëses “Titan”.
Burimet e brendshme pranë Cameronit thonë se një rrjet transmetimi i është afruar regjisorit të mirënjohur hollivudian – i cili është zhytur në thellësitë e Titanikut mbi 30 herë – për të bërë një serial që tregon historinë e pesë burrave që vdiqën në një nëndetëse muajin e kaluar.
Një burim tha: “Fatkeqësia e nëndetëses ‘Titan’ tashmë po shihet si një seri e madhe për një nga transmetuesit më të mëdhenj në botë të filmave dhe serialeve – dhe James është zgjedhja e parë për regjisor”, shkruan The Sun.
“Është një temë tamam për zemrën e tij. Ai e tregoi historinë e Titanikut me aq dhembshuri, sa duket si një hap i natyrshëm për të që ta ndërmarrë këtë”, tha burimi.
“Ritimi i hapave të atyre që duan të ndërmarrin realizimin e një seriali për nëndetësen ‘Titan’ është një ndërmarrje masive, por kërkon shumë kohë, para dhe burime të dedikuara për të”, theksoi tutje i brendshmi.
Aktori i Hollywoodit, Matt Damon, thuhet se është në listën e dëshirave të aktorëve për projektin, ashtu si Kumail Nanjiani, ylli i “The Big Sick”.
Cameron, regjisori i famshëm me origjinë kanadeze fitoi tre çmime “Oscar” për filmin ikonik “Titanic” në vitin 1998, duke përfshirë edhe çmimin kryesor – atë për ‘filmin më të mirë’.
Ai është gjithashtu një ekspert në eksplorimin e detit të thellë dhe ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme si zhytës. /Telegrafi/