Policia italiane ka arritur të sekuestrojë sasinë më të madhe të kokainës të kapur ndonjëherë në shtetin fqinj, 5,2 ton.
Operacioni është kryer nga Guardia di Finanza me mbështetjen edhe të helikopterit. Mësohet se në këtë operacion janë vënë në pranga 20 persona, mes të cilëve edhe një shtetas shqiptar.
Mësohet se operacioni ka nisur mbrëmjen e së martës pas dyshimeve të ngritura për një anije mallrash, e cila mbante flamurin e Republikës së Palau, nga ishujt e Paqësorit, që ishte pozicionuar pranë ujërave territoriale italiane.
Më pas, një anije peshkimi u nis drejt saj dhe ndodhi shkëmbimi. Guardia di Finanza ndërhyri pasi anija e peshkimit u fut sërish në ujërat territoriale italiane dhe arriti të zbulojë sasinë e jashtëzakonshme të kokainës, duke vënë në pranga edhe 5 persona, mes të cilëve edhe një shqiptar.
Më pas, autoritetet italiane policore u vunë në ndjekje të anijes së mallrave, e cila tentoi të largohej, por u bë e mundur shoqërimi në portin e Palermos. Ekuipazhi i saj përbëhej nga 15 personash, ukrainas, turq dhe nga Azerbajxhani.
Sipas njoftimit të Guardia di Finanza-s, ndërsa kjo sasi kokaine do të kishte dalë në treg do të kapte një vlerë rreth 1 miliard euro.