Azilkërkuesit qe bëjnë kalimin e rrezikshëm nga Franca drejt Anglisë, zakonisht përdorin rrugën më të ngushtë, prej 34 km mes qytetit të Kalese në kontinentin evropian drejt Doverit në jug të Anglisë.
Por ekziston frika, siç raportohet, se trafikantët po përdorin tashmë edhe rrugë “më të rrezikshme dhe më të gjata” duke zbarkuar në pjesë të tjera të Anglisë, në përpjekjen për të mos u kapur nga autoritetet britanike të emigracionit, pasi me kalimin e ligjit të ri të ardhurit përmes rrugëve ilegale, do rikthehen në vende të sigurta ose të treta, si Ruanda, e cila ende është e ngërthyer në rekurse ligjore.
Aktualisht në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë rreth 1 mijë emigrantë më pak dhe ka një numër me to vogël gomonesh, por ka rritje të numrit të emigranteve nëpër gomonet që kalojnë.
Vetëm të martën afro 600 emigrantë të rinj mbërritën duke e çuar në total numrin për këtë në vit në 13 e 800 veta të mbërritur. Sipas një zyrtare të sindikatave të Forcave të Kufirit në Britani, Lucy Moreton, ka një “dyshim të arsyeshëm” për të besuar se numri i pakësuar i gomoneve është për shkak se përdoren rrugë alternative, të cilat nuk zbulohen nga autoritetet e emigracionit. Ka dy shkolla mendimi për numrin paksa më të vogël të ardhjeve.
Njëra që i atribuohet bashkëpunimit franko-anglez kundër trafikanteve dhe tjetra që e kundërshton atë është e ajo e kushteve atmosferike ne La Mansh. Ata që e njohin mirë ngushticën, thonë se erërat e kësaj vere me drejtim verilindor që përplasje me baticën, rrisin dallgëzimin kundrejt Francës nga nisen gomonet, duke e vështirësuar nisjen e udhëtimeve ilegale.
Vërtet numri i shqiptarëve ka rënë në thuajse 90 përqind, por nuk dihen arsyet e vërteta të kësaj rënie. Megjithëse numri i shqiptarëve nuk është si vitin e kaluar momentalisht, vendet e tyre nëpër gomone mbushen menjëherë me një numër në rritje emigrantesh sidomos nga nën-kontinenti indian.
E ndërsa mblidhen muajt deri në llogaridhënien elektorale të qeverisë se Rishi Sunak vitin e ardhshëm, presioni për arritje rezultatesh kundër emigracionit ilegal do vij duke u intensifikuar, edhe pse kriza aktuale në Mesdhe me emigrantet nuk është ogur i mirë për kalimet në La Mansh.