Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në liqenin e hidrocentralit të Banjës në Gramsh, ku katër persona janë mbytur duke u larë në të. Sipas policisë, babai me dy djemtë e tij dhe një kushëriri i tyre janë futur në liqen për t’u larë, por nuk kanë dalë më.
Viktimat janë Arben Zogu 46 vjeç, dy djemtë e tij, 19-vjeçari Ruben dhe 14-vjeçari Esti Zogu, si dhe kushëriri i tyre Melsi Zogu 20-vjeç.
Ata kishin shkuar këtë të premte për t’u larë në liqenin e Banjës, por fatkeqësisht u mbytën në të, ndërsa rrethanat janë ende të paqarta.
Pas marrjes së informacionit, policia shkoi në vendin e ngjarjes, në të cilin u gjetën fillimisht dy motoçikleta, tre celularë dhe rrobat e trupit. Në vendngjarje shkuan edhe palombarët, të cilët pas disa orësh bënë të mundur gjetën të pajetë 4 personat.
“Gramsh/informacion paraprak: Rreth orës 19:00, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Gramsh ka marrë një telefonatë se 4 shtetas dyshohet se janë mbytur në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe zjarrfikësit, ku ka rezultuar se:
Në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës në fshatin Drizë të Gramshit, dyshohet se shtetasit A.Z, rreth 46 vjeç, R.Z, 19 vjeç, E.Z, 14 vjeç , (babai me dy djemtë) dhe kushëriri i tyre shtetasi M.Z, 20 vjeç, sipas deklarimeve të familjarëve janë futur në liqen për tu larë dhe nuk kanë dalë më.
Gjithashtu menjëherë në drejtim të liqenit janë nisur polumbarët e Reneas për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e katër shtetasve nga liqeni. Grupi hetimor ka gjetur në buzë të liqenit dy motoçikleta, tre celularë dhe teshat e trupit.
Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”Njoftimi i Policisë së Gramshit