Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, sinjalizon se nuk ka ndërmend t’i rikthehet respektimit të marrëveshjes për eksportimin e grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi. Shefi i Kremlinit njoftoi se do të ofrojë eksportim të grurit falas për gjashtë shtete të Afrikës.
“Ne e kuptojmë rëndësinë e furnizimeve të pandërprera të ushqimeve për vendet afrikane. Është thelbësore dhe zhvillimin social dhe ekonomik, por edhe për ruajtjen e stabilitetit politik. Prandaj, ne gjithmonë i kemi kushtuar vëmendje të veçantë furnizimit të miqve tanë Afrikanë me grurë, elb, misër dhe drithëra të tjera, përfshirë furnizime me ndihma humanitare. Kemi një situatë paradoksale. Në njërën anë, vendet perëndimore po pengojnë furnizimet tona me grurë dhe fertilizues, ndërsa në anën tjetër, do e them hapur, në mënyrë hipokrite na fajësojnë ne për krizën aktuale në tregjet globale të ushqimit.
Por vendi ynë mund të zëvendësoi grurin e Ukrainës si në anën tregtare ashtu edhe në ndihmë falas për vendet më të varfra të Afrikës, veçanërisht me korrjet rekord që priten të bëhen këtë vit. Ne do të furnizojmë Burkina Fason, Zimbabvet, Malin, Somalinë Republikën e Afrikës Qendrore dhe Eritrean me 25 deri në 50 mijë ton grurë falas. Gjithashtu do të garantojmë dërgesa pa pagesë të këtyre produkteve për klientët”, tha Putin.