Zhveshja lakuriq në shatërvanin e famshëm të Fontana di Trevi dhe përdhosja e këtij simboli të Romës nga turistët është bërë i zakonshëm gjatë viteve të fundit.
Sjelljet e këqija të turistëve kanë xhindosur në vazhdimësi italianët dhe u rikthyen në vëmendje këtë verë pasi një çift britanik gdhendën emrat e tyre në murin e Koloseut të lashtë të Romës.
Me turizmin e rikthyer në nivelet e para-pandemisë, turistët duket se po shkaktojnë kaos rreth monumenteve antike dhe rasti më i fundit është regjistruar sërish në Romë.
Këtë herë sipas një videoje të publikuar nga faqja demaskuese “Welcome to Favelas”, një burrë është ngjitur në statujat e shatërvanit të Trevit dhe më pas është zhytur në ujë.
Akti i tij është shoqëruar me duartrokitje dhe të qeshura nga të pranishmit, por jo nga policia italiane, që e ka gjobitur “zhytësin” problematik.