Policia e Durrësit ka publikuar të tjera të dhëna sa i përket trupit të pajetë të një vajze të gjetur paraditen e sotme poshtë Urës së Dajlanit në Durrës. Në komunikatën e rastit në fjalë, Policia njofton se e viktima është vrarë me thikë ndërsa janë shoqëruar 17 persona që dyshohet se kanë dijeni.
Po ashtu mësohet se viktima ishte nga Sauku. Ajo është identifikuar si Luljeta Preza, ndërsa i përket komunitetit Rom. Sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima ka pasur shenja të dukshme dhune seksuale, ndërsa ka dëmtime edhe në organin gjenital.
“Durrës/Informacion shtesë: Në lidhje me një informacion të dhënë paraditen e sotme, se rreth orës 10:35, në lagjen nr.13, Durrës, poshtë urës së Dajlanit, ishte gjetur pa shenja jete, një shtetase, ju informojmë se:
Nga verifikimet e kryera u bë i mundur identifikimi i kësaj shtetaseje, konkretisht u gjet e pajetë shtetasja L. P., 32 vjeçe, banuese në Sukth, Durrës.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera paraprakisht nga grupi i posaçëm i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore, si dhe nga këqyrja e trupit të pajetë të 32-vjeçares, dyshohet se kjo shtetase e ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në trup, nga një mjet prerës.
Deri më tani, në ambientet e Policisë së Durrësit, janë shoqëruar 17 shtetas të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast. Grupi hetimor vijon hetimet e thelluara për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti, si dhe për të përcaktuar autorësinë e tij.”
Njoftimi i Policisë së Durrësit