Rusia do të shtojë trupat në kufijtë perëndimorë, pas hyrjes së Finlandës në aleancën ushtarake të NATO-s. Këtë e tha ministri i Mbrojtjes në Rusi, Sergei Shoigu ditën e mërkurën. Në fjalimin hapëse të Kolegjiumit të ministrisë së Mbrojtjes, bordi drejtues i këtij institucioni, Shoigu paralajmëroi se kërcënimet strategjike për Rusinë ishin shtuar dhe e cilësoi hyrjen e Finlandës dhe ndoshta Suedisë në NATO, si një faktor serioz destabilizues. Anëtarësimi i shtetit nordik, në aleancën perëndimore, thuajse e ka dyfishuar gjatësinë e kufirit tokësor të Rusisë me NATO-n.
“Kërcënimet ndaj sigurisë ushtarake të federatës ruse janë shumëfishuar në drejtime strategjike perëndimore dhe veri perëndimore. Një faktor serioz destabilizues është anëtarësimi i Finalndës në NATO, dhe në të ardhmen i Suedisë. Pasi Helsinki iu bashkua aleancës, kufiri tokësor i Rusisë me vendet e bllokut thuajse u dyfishua. Në territorin Finlandez, ka gjasë që të dërgohen kontigjente dhe artileri të NATO-s, në gjendje për të goditur shënjestra kritike në veriperëndim të Rusisë”, tha ai.
Shoigu përmendi gjithashtu rrezikun që vjen nga Polonia, e cila siç tha ka njoftuar qëllimet për të krijuar ushtrinë më të fuqishme në kontinent dhe për t’u bërë instrumenti kryesor i politikës anti-ruse në Shtetet e Bashkuara. Ministri i Mbrojtjes tha se numri i njësive ushtarake të NATO-s nga jashtë rajonit, të stacionuara në Europën Lindore ishte rritur me gati dy herë e gjysmë që prej shkurtit të kaluar, duke arritur një total prej 30 mijë trupash.
“Ka kërcënime në rritje lidhur me militarizimin e Polonisë e cila është bërë instrumenti kryesor i politikës anti-ruse të SHBA. Varshava njoftoi qëllimet për të krijuar, atë që sipas polakëve do të jetë ushtria me e fuqishme në kontinent. Blerje të mëdha armësh kanë filluar nga SHBA, Britania e Madhe dhe Republika e Koresë, përfshirë tanke, sisteme të artilerisë dhe të mbrojtjes ajrore”, shtoi Shoigu.
Sipas Shoigu, rreth 360 mijë ushtarë përfshirë forcat e armatosura të vendeve të Europës Lindore janë të pozicionuar në afërsitë kufijve të Rusisë dhe Bjellorusisë. Burime ministeriale të Varshavës bënë me dije më herët se Polonia do të dislokonte rreth 2 mijë trupa shtesë në kufirin me Bjellorusinë.