Plagosja e efektivit në Himarë, Rama: Respekt për Redin Çaushajn, ndërhyri për të shmangur të keqen

albnews
By
1 Min Read

Kryeministri, Edi Rama ka shprehur respekt për efektivin Redin Çaushaj, që mbeti i plagosur në Himarë pasi ndërhyri në një sherr për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit midis dy personave.

Në një postim në Facebook, Rama ka shpërndarë foton e një takimi duarsh me policin e plagosur.

Respekt për Redin Çaushajn, të riun e Policisë së Shtetit që u plagos duke ndërhyrë dhe shmangur më të keqen mes dy individëve në një sherr të rrezikshëm”, shkruan Rama.

Një ditë më parë efektivi u vizitua nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Efektivi e kaloi rrezikun për jetën pasi iu nënshtrua një operacioni nga goditja me thikë që mori në qafë.

Ngjarja u regjistrua te kthesa e fshatit Pilur, ku disa persona po konfliktoheshin fizikisht me njëri-tjetrin.

Në momentin që ndodhi konflikti, efektivi, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, ishte duke kaluar në rrugë jashtë orarit të shërbimit dhe ndërhyri menjëherë për ta parandaluar. 

Policia ka arrestuar autorin e ngjarjes, i cili akuzohet për veprën penale “vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, mbetur në tentativë.

Share This Article