Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç kanë shkëmbyer në distancë deklarata publike në lidhje me zhvillimet e fundit.
Presidentja e Kosovës është deklaruar për presion nga ana Beogradit mbi qytetarët serbë të Kosovës duke i kërkuar Bashkimit Europian të ndëshkojë shkelësit e deklaratës së 3 qershorit.
Presidenti serb nga ana e tij deklaroi përmes paralajmërimit se priten presione më të forta dhe më të mëdha mbi Beogradin në ditët dhe javët e ardhshme lidhur me Kosovën dhe vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse.
“Unë pres presione të forta dhe të mëdha në lidhje me sanksionet kundër Federatës Ruse, ndoshta presionet më të mëdha deri më tani…Ata po kërkojnë të më izolojnë plotësisht (në skenën politike), kështu që të gjithë fillojnë të punojnë për disa fuqi të tjera në përpjekje për ta detyruar Serbinë të ndryshojë politikën e saj”, tha presidenti serb.
Sipas tij presioni ndaj Serbisë do të shtohet për shkak të situatës në Ukrainë.
“Ata gënjyen se ne eksportonim municionet në Rusi, ne nuk eksportuam asnjë plumb. Gënjeshtra të panumërta dhe kështu do të vazhdojë….Sa herë që ne kundërshtojmë diçka që vjen nga perëndimi, ata thonë se do ta izolojnë Serbinë. Serbia nuk do të izolohet, sepse ne udhëheqim një politikë serioze, të përgjegjshme dhe të arsyeshme”, tha Vuçiç.