Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka mbërritur në Athinë, në darkën informale që ka organizuar kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Në një mesazh në Twitter, Ursula von der Leyen shkruan:
“Ne duhet t’i sjellim miqtë tanë, anëtarët aspirantë të BE-së shumë më afër nesh dhe shumë më shpejt. Gëzohem që jam në Athinë, për të diskutuar perspektivën evropiane të fqinjëve dhe partnerëve tanë në Lindje dhe në Ballkanin Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të rrëzojmë barrierat midis rajoneve tona”.
Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, do të ndjekin sot një darkë jozyrtare mbi zgjerimin e BE-së në kryeqytetin grek, Athinë. Në tetor, komisioni do të raportojë, siç bën rregullisht, mbi ecurinë e negociatave me vendet e Ballkanit, përpara se liderët evropianë të vendosin nëse do të hapin negociatat e plota të pranimit. Një vendim pritet në samitin e BE-së, në dhjetor.
Megjithëse makineria evropiane nuk është ende plotësisht funksionale, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të presë një numër liderësh evropianë për të shënuar 20 vjetorin e Deklaratës së Selanikut të vitit 2003, ku liderët evropianë dhe të Ballkanit Perëndimor ranë dakord që e ardhmja e Ballkanit duhet të ketë një perspektivë evropiane.
Takimi do të mbledhë së bashku liderët e Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Rumanisë dhe Kroacisë.
Megjithëse nuk ka asnjë konfirmim apo mohim zyrtar për arsye sigurie, liderët evropianë presin një vizitë edhe nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, raportoi shtypi grek.
Udhëheqësi ukrainas po viziton edhe një herë vende të ndryshme evropiane, përfshirë Suedinë, Danimarkën dhe Holandën, në kërkim të mbështetjes ekonomike dhe ushtarake, për të siguruar të ardhmen e një vendi në luftë.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, nuk do të marrë pjesë në bisedime, duke reflektuar pikën e ulët të marrëdhënieve diplomatike mes Athinës dhe Tiranës.
Rama nuk ishte i ftuar, por ishte zyra e presidentit shqiptar Bajram Begaj, i cili e refuzoi ftesën, sipas shtypit grek.
Syriza, partia kryesore opozitare e Greqisë, tha në një deklaratë të dielën se ishte kryeministri që nuk e kishte ftuar homologun shqiptar, “për shkak të çështjes Beleri”.
Rasti ka të bëjë me Fredi Belerin, i cili ndodhet në paraburgim që prej muajit maj, me dyshimin për blerje votash. Beleri është një emigrant grek, i cili fitoi zgjedhjet për kryebashkiak në Himarë, në jug të Shqipërisë, por ende nuk ka mundur të marrë detyrën.