Agjencia hapësinore e Indisë po synon një tjetër moment historik me dërgimin e një sonde për të studiuar diellin, pak më shumë se një javë pas uljes me sukses në Hënë.
“Aditya-L1” është planifikuar të niset sot (2 shtator) rreth orës 11:50 me kohën lokale dhe do të transportojë me vete instrumente shkencorë për të vëzhguar shtresat më të jashtme të diellit.
“Aditya” – emri i hyjnisë së diellit në kulturën hindu – do të udhëtojë 1.5 milion km (930 mijë milje) për të arritur në destinacionin e saj.
Udhëtimi drejt diellit pritet të zgjatë katër muaj.
Qëllimi i misionit është të sqarojë dinamikën e disa fenomeneve diellore duke fotografuar dhe matur grimcat në atmosferën e sipërme të diellit.
Sipas Organizatës Indiane për Studimin e Hapësirës (ISRO), anija kozmike përfshin “shtatë pajisje shkencore për studimin sistematik të diellit”, të gjitha të zhvilluara në bashkëpunim midis agjencisë hapësinore të Indisë dhe instituteve shkencore.
Shtetet e Bashkuara dhe Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA) kanë dërguar sonda të shumta në qendër të sistemit diellor, duke filluar me programin “Pioneer” të NASA-s në vitet 1960. /AJ