Nga Yulia Latynina, The Hill
Yevgeny Prigozhin, kreu i mercenarëve të grupit Wagner që organizoi një grusht shteti kundër presidentit rus Vladimir Putin saktësisht dy muaj më parë, ka vdekur, së bashku me Dmitry Utkin, komandantin ushtarak të Wagner.
Avioni i tyre u rrëzua rreth 30 milje larg rezidencës Valdai të Putinit.
Vetë Putin e pranoi se Prigozhin u kthye në Rusi nga Afrika për tu takuar me disa zyrtarë përpara së hipte në udhëtimin e tij të fundit me avion. Është e paqartë nëse ai do të takohej me vetë Putinin apo thjesht me Nikolai Patrushev, sekretarin e Këshillit të Sigurimit, por Prigozhin duhet të ketë pasur disa garanci mjaft të larta ose probleme urgjente përderisa vendosi ta bënte këtë fluturim.
Një tjetër fakt i çuditshëm është se ai udhëtoi me Utkin në të njëjtin avion. Si masë paraprake, dy burrat zakonisht fluturonin me avionë të veçantë.
Është gjithashtu e çuditshme që Putin zakonisht i izoluar e zgjodhi këtë ditë për një udhëtim në terren në një fshat të panjohur të Ponyrit në rajonin e Kurskut për të festuar një betejë të Luftës së Dytë Botërore, raporton abcnews.al.
Gjithsesi, me sa duket është mjaft e pasigurt të duash të rrëzosh Putinin dhe të përdorësh avionë biznesi. Putini e rifitoi statusin e tij të mashkullit alfa dhe nuk kishte asnjë dyshim për këtë.
Putin premtoi se do ta falte Prigozhinin dhe tani e shohim se premtimi i tij nuk vlente asnjë gram. Gjatë dy muajve të fundit, perandoria e biznesit të Prigozhin u shpërbë. Aleatët e tij më të afërt u blenë.
Utkinit iu ofrua një mundësi, por qëndroi në krah të Prigozhin.
Të gjithë operativëve të Wagner-it në Siri iu dha një opsion: të bashkoheshin me ushtrinë ruse me një pagë shumë më të ulët ose të shkonin me nder në Rusi. Shumë pak dhanë dorëheqjen. Ata u dërguan, siç u premtua, në Rusi, në aeroportin ushtarak në Mozdok.
Vladimir Osechkin, një disident rus dhe specialist i Ëagner, tha se FSB i takoi ata në aeroport dhe i largoi. Në përgjithësi, duket se ishte presioni i biznesit i kombinuar me garancitë e rreme që çuan në udhëtimin fatal të Prigozhin, raporton abcnews.al.
Disi të kujton Cesare Borgia-n, i cili 500 vjet më parë thirri komandantët e tij rebelë në Senigallia për të bërë paqe, vetëm për t’u prerë kokat.
Ekzekutimi spektakolar i Prigozhin është një fitore e menjëhershme për diktatorin rus. Mesazhi është i qartë: Bosi i bandës ka ndëshkuar keqbërësin.
Por grupi Wagner përbënte trupat më të mira të Putinit në luftën kundër Ukrainës. Ishte lufta e tyre për Bakhmutin që i bleu Putinit kohën e nevojshme për të ndërtuar linja mbrojtëse mbresëlënëse.
Trupat ukrainase po luftojnë rreth 16 milje nga Tokmak, një qendër kryesore hekurudhore në jug të Ukrainës. Nëse Tokmak kapet dhe ura e Krimesë dëmtohet rëndë, Putinit do ta ketë një detyrë të vështirë furnizimin me Krimenë.
Pika e dytë kryesore është se vdekja e Prigozhin nuk shkaktoi protesta. Një avion me një hero të supozuar të luftës u rrëzua dhe askush nuk u shqetësua. Zero trazira pas vdekjes së Prigozhin është një shenjë e qartë e mbështetjes zero të vërtetë të luftës së Putinit.
Dhe e treta, por jo e fundit, e gjithë kjo fatkeqësi ishte tërësisht e Putinit.
Ishte Putin ai që nuk mundi të reformonte ushtrinë e tij të rregullt. Ishte Putin ai që krijoi një ushtri private në vend të kësaj dhe ia besoi qeverisjen e saj një burri që ishte qartësisht i paqëndrueshëm mendërisht, një burrë që u burgos në vitin 1981 për përpjekjen për të mbytur një grua, të cilën e ndoqi nga një restorant.
Një psikopat që përdorte pasaporta të falsifikuara, maskime të shumta, mbante në shtëpinë e tij foto të kokave të prera dhe kënaqej duke i goditur njerëzit me një vare.
Vetë ideja pas Wagner ishte e çmendur.
Pse një sundimtar modern do të krijonte një njësi sekrete për të vepruar në Afrikë? Çfarë ka për të fituar? Diamante? Uranium?
Është çmenduri edhe që një diktator të përdorë kompani private ushtarake si një mjet investimi në Afrikë. Është një bandit që fiton pushtet absolut dhe ende vepron si një gangster i vogël.
Putin jo vetëm që krijoi një njësi ushtarake sekrete që filmonte veten duke prerë kokat, por ai vuri në krye të operacionit njeriun më të çmendur që mund të gjente. Dhe më pas ai nuk mundi t’i përmbante ambiciet e këtij njeriu ndërsa ishte i zhytur në një luftë të pakuptimtë, raporton abcnews.al
Ai u përpoq ta zgjidhte problemin duke e shpërbërë Wagnerin në ushtri dhe duke joshur mercenarët e tij në njësi të tjera, ku paga ishte më e mirë, por nuk ia doli sepse në fakt diçka e tillë rezultoi në rebelimin e Wagner.
Si rezultat, Putini shkatërroi pjesën më të mirë të makinës luftarake ruse dhe eleminoi shumë persona që dikur ishin të besuarit e tij.
Kjo mund t’i kushtojë atij luftën dhe jetën e tij, sepse ka dy mësime nga vdekja e kryekomandantit.
Një: Mos besoni kurrë në premtimet e Putinit. Dy: Nëse tanket tuaja janë 120 milje nga Kremlini, mos u ndalni.