Kryeministrja Xhorxha Meloni (Giogia Meloni) njoftoi se të hënën (18 shtator) në mbledhjen e qeverisë do të publikojë masa të reja në lidhje me fluksin e emigrantëve drejt Italisë.
Ajo pritet të propozojë zgjatjen e periudhës së ndalimit në qendrat e paraburgimit për riatdhesimin e personave që hyjnë ilegalisht në vend nga 12 në 18 muaj, duke respektuar legjislacionin evropian.
Masat e reja nuk përfshijnë azilkërkuesit për të cilët afati maksimal i qëndrimit është 12 muaj.
Meloni deklaroi se Italia ka nevojë për një mision evropian, duke përfshirë edhe një marrëveshje me autoritetet e Afrikës së Veriut për të bllokuar nisjen e varkave me emigrantë.
Kryeministrja tha se i ka kërkuar Presidentit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel (Charles Michel) që të përfshijë çështjen e migracionit në agjendën e Këshillit Evropian të tetorit.
“Verifikoni në Afrikë se kush ka ose jo të drejtë për azil dhe mirëpritni në Evropë vetëm ata që realisht kanë të drejtë sipas konventave ndërkombëtare,” tha ajo.
Në videomesazhin e saj, duke përmendur rastin e Tunizisë, Meloni ngriti dyshime se dikush në Evropë po punonte për të shmangur një marrëveshje për ndalimin e fluksit migrator.
Mbi 7 mijë emigrantë kanë zbarkuar nga dita e martë në Lampeduza, numër më i lartë se popullsia e këtij ishulli.
Nga mesnata e së shtunës 121 persona nga Afrika e Veriut, mes tyre edhe trupi i pajetë i një foshnje të porsalindur, mbërritën në qytetin italian të mbingarkuar me emigrantë.