Ndeshja kualifikuese për Europianin 2024 mes Rumanisë dhe Kosovës, u ndërpre për disa minuta për shkak të banderolave politike të hapura në stadium dhe thirrjeve raciste nga tifozeria rumune. “Kosova është Serbi” shkruhej në një banderolë gjigande pas porte dhe ndeshja u ndërpre deri në momentin kur ajo u hoq.
Për këtë ndeshje, UEFA hapi edhe një hetim dhe pritej që të jepej një dënim i rëndë për Federatën Rumune të Futbollit, megjithatë nuk ka ndodhur ashtu.
UEFA ka gjobitur me 52 mijë euro Federatën rumune dhe ka urdhëruar që ndeshja e radhës kualifikuese ndaj Andorrës, të luhet pa tifozë.
Megjithatë, UEFA ka vendosur të bëjë një tjetër tolerim dhe ka lejuar që në ndeshjen ndaj Andorrës, në tribuna të kenë mundësi që të hyjnë fëmijë nën moshën 14-vjeç.
Vetë Federata Rumune, me anë të një komunikate ka dënuar veprimet e tifozerisë, duke u shprehur se politika duhet të mbahet sa më larg nga sporti.