Arabia Saudite është e vendosur të marrë armë bërthamore nëse Irani i zotëron ato, njoftoi princi Mohammed bin Salman, trashëgimtari i fronit të vendit të tij.
Është ndoshta hera e parë që Arabia Saudite e ngre këtë çështje kaq hapur, ndërkohë që deklaron – sërish përmes gojës së Salmanit – se po i afrohet gjithnjë e më shumë normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.
Në një intervistë për Fox, e cila do të transmetohet vonë të mërkurën, Salmani ishte i qartë: “Nëse ata e marrin atë, duhet ta marrim edhe ne”. “Ky është një veprim i keq. Nëse e përdorin atë, atëherë do të hyjnë në një luftë të madhe me pjesën tjetër të botës”, tha ai.
Ai shtoi se Arabia Saudite është “e shqetësuar” për perspektivën e ndonjë vendi që të marrë armë bërthamore, por se asnjë vend nuk duhet t’i përdorë ato sepse “do të fillojë një luftë me pjesën tjetër të botës”.
Siç theksoi ai, “bota nuk mund të shohë një Hiroshima të re”.
Lidhur me Izraelin, Salman tha se “çdo ditë po i afrohemi nënshkrimit të një marrëveshjeje normalizimi me Izraelin. Ai shpjegoi më tej se “çështja palestineze është shumë e rëndësishme, ne duhet ta zgjidhim atë”.
“Duhet të shohim se ku po shkojmë. Shpresojmë se do të arrijmë në një pikë ku do t’ua lehtësojmë jetën palestinezëve, do të kemi Izraelin si lojtar në Lindjen e Mesme”, shtoi ai duke folur në anglisht.