Një burim i lartë në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, i ka thënë gazetës rajonale “The Geopost” se Aleksandar Vuçiç është tradhtuar nga dikush brenda Manastirit të Banjskës dhe lidhur me këtë, po heton edhe Inteligjenca serbe BIA.
“Dje dikush e tradhtoi presidentin Vuçiç dhe shërbimet e inteligjencës serbe do ta hetojnë këtë”, tha burimi.
Sipas tij, Vuçiç është tradhtuar në lidhje me rezistencën në Banjskë.
Nga ana tjetër, po i njëjti burim ka pretenduar se viktimat në radhët e serbëve janë gjashtë, përkundër se Policia e Kosovës ka bërë me dije zyrtarisht deri tani se katër terroristë janë eliminuar.
“Të paktën gjashtë serbë janë vrarë. Aksioni nuk duhej të përfundonte kështu, me këtë bilanc. Kjo e dëmton shumë Vuçiçin dhe institucionet e Serbisë, serbët e Kosovës dhe pozitën e Serbisë në dialog”, ka thënë burimi nga strukturat e sigurisë serbe.
Lidhur me gjithë situatën, ajo rrodhi fillimisht orët e para të 24 shtatorit, kur një grup i organizuar me të paktën 30 persona qëlluan në veri të Kosovës patrullën policore, duke lënë të vrarë efektivin Afrim Bunjaku dhe duke lënë të plagosur një tjetër polic kosovar.
Këto trupa të organizuara terroriste më pas u strehuan në Manastirin e Banjskës, ku edhe u rrethuan nga Forcat Speciale të Kosovës, të cilat e mësynë objektin më vonë.
Gjatë aksionit ndërkaq, katër terroristë u konfirmuan të eliminuar dhe gjashtë persona të tjerë në tërësi janë arrestuar nga autoritetet kosovare.
Ajo çfarë është e qartë, siç ka mësuar edhe redaksia e Albanian Post nga burime jozyrtare pranë çështjes, është se grupe të strukturuara si Obraz në Serbi, apo deri edhe Wagner e Spetsnaz nga Rusia, kanë qenë pjesë e këtij aksioni kundër shtetit të Kosovës.
Megjithatë, një hetim i plotë i të gjithë ndodhive pritet, kur ka edhe akuza politike të pabazuara nga Vuçiç, se fajtor mbi këtë ngjarje është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Vuçiç nuk ka pranuar përfshirjen e strukturave serbe në ngjarje, por ka thënë se serbët e Kosovës, të frustruar nga situata në veri, janë rebeluar.