Në Greqi, emigrantët pa dokumente do të angazhohen në ndërtimin e projekteve madhore. Sistemi i trenave nëntokësorë dhe aeroporti i Kretës kanë përparuar pak dhe kjo i ka bërë autoritetet t’i shohin emigrantët si krah i mundshëm pune.
Qeveria greke planifikon të angazhojë në ndërtimin e tyre rreth 300 mijë emigrantë, të cilët ose nuk kanë dokumente ose u ka përfunduar leja e qëndrimit.
Vendimi është bërë i ditur nga ministri grek i Emigracionit dhe vjen në një moment kur Europa po përballet me një valë të shtuar emigrantësh, çka ka rihapur debatin mes vendeve anëtare për mënyrën sesi do të trajtohen.
Qëllimi është mbushja e boshllëqeve për krah pune në sektorë si turizmi, ndërtimi, agrikultura etj.
“Nuk duam që me këtë të nxisim rritjen e fluksit të emigrantëve të paligjshëm, sepse kjo do të ishte e rrezikshme. Por nga ana tjetër, ne duam të ecim përpara, duke kaluar nga puna në të zezë te puna e deklaruar, në mënyrë që të rrisim të ardhurat me taksat e punësimit dhe kontributet si edhe të adresojmë problemin e mungesës dramatike të punonjësve në disa sektorë”, tha ministri grek i Turizmit, Dimitris Kairidis.
Ndërtimi i aeroportit të Kretës dhe sistemi i metrosë në Selanik janë vonuar për shkak të vështirësive për të gjetur krah pune. Mungesa e punonjësve u është shtuar faktorëve të tjerë, si kriza financiare greke dhe disa zbulime arkeologjike, të cilat e kanë ngadalësuar ritmin e ndërtimit të sistemit të metrosë në Selanik, i nisur në vitin 2009; dhe pandemia, e cila vuri në pauzë për një kohë të gjatë punimet në aeroportin e Kretës.
Të paktën 110 mijë punonjës i duhen sektorit të agrikulturës, sipas të dhënave të autoriteteve greke, ndërsa një sondazh i kryer me kompanitë vendase arriti në përfundimin se 90% e tyre kishin mungesë punonjësish.
Në Greqi, emigrantët mbërrijnë kryesisht nga Turqia, pasi vijnë nga vendet e Azisë dhe Afrikës. Përgjatë 9 muajve të 2023, në Greqi kanë mbërritur 18 000 emigrantë, një rritje me 106% krahasuar metë njëjtën periudhë të vitit 2022.