Vetëm dy muaj e gjysmë më parë, Qeveria e Kosovës ishte pajtuar për të zvogëluar praninë e kësaj njësie në zonën e banuar me shumicë serbe.
Kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian për uljen e tensioneve.
Situata atje u acarua nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, nën përcjelljen e policisë speciale, u vendosën në objektet komunale.
Veprimi nxiti reagimin, herë-herë edhe të dhunshëm, të popullatës lokale, që kundërshton si kryetarët shqiptarë, ashtu edhe praninë e forcave speciale të policisë së Kosovës.
Pas trysnisë disajavëshe të BE-së, Qeveria e Kosovës u dakordua ta zvogëlojë përgjysmë praninë e njësisë speciale përreth objekteve komunale në veri, si dhe të organizojë zgjedhje të reja atje.
Por, sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura qëlluan policinë e Kosovës duke vrarë një pjesëtar të saj më 24 shtator, u dha kah tjetër zhvillimeve.
Rritet prania policore
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se policia ka rritur tashmë praninë e saj në veri.
“E kemi shtuar prezencën dhe vigjilencën përreth brezit kufitar. Po ashtu, kemi shtuar prezencën e njësisë speciale të policisë së Kosovës në veriun e Kosovës. I kemi reduktuar paksa patrullimet e policëve të zakonshëm, për shkak se nuk kanë nivel të tillë të mbrojtjes për t’u përballur me ndonjë sulm të mundshëm”, tha Hoxha.