Kurti mirëpret vendimin e NATO-s për forca shtesë në Kosovë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur vendimin e NATO-s për të rritur numrin e trupave të saj në Kosovë, njofton Radio Evropa e Lirë.

Sipas Kurtit, sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator ilustron përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën, me ndihmën e aleates së saj, Rusisë.

“Këta persona duan ta kthejnë kohën pas”, tha Kurti për Associated Press. “Ata janë në kërkim të një makine për kthimin e kohës. Ata duan ta kthejnë kohën për 30 vjet pas. Por, kjo nuk do të ndodhë”.

Në sulmin ndaj Policisë në Banjskë u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Autoritetet thanë se gjatë përleshjeve, tre sulmues po ashtu u vranë.

Të premten, NATO, që ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, tha se do të shtojë forcat e saj në Kosovë.

“Ne na duhet NATO-ja sepse kufiri me Serbinë është shumë i gjatë dhe ushtria serbe së fundi po forcon kapacitetet e saj dhe ata kanë shumë pajisje ushtarake, si nga Federata Ruse ashtu edhe nga Kina”, tha Kurti.

Ende nuk është e qartë se sa trupa të reja do të dërgojë NATO-ja në Kosovë. Rreth 700 trupa u dislokuan nga Turqia në qershor, pasi dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan gjatë një përleshjeje me një grup protestuesish serbë në veri të Kosovës.

KFOR aktualisht ka rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere. Ky mision ka thënë më herët gjatë javës se po monitoron situatën e sigurisë dhe do të ndërhyjë nëse i kërkohet.

( Sipas Radios Evropa e Lirë )

Share This Article