Ndalet përsëri Mançester Junajtidi, i cili humbet në shtëpi kundër Kristal Palasit dhe konfirmon krizën e thellë të këtij sezoni. Ishte një kthesë e Hoakim Andersenit në mesin e pjesës së parë pas zhvillimeve të një goditje standarde ajo që përcaktoi rezultatin në “Old Trafford”.
Protesta në pjesën e dytë për skuadrën e Ten Hagut për shkak të një prekje të topit me dorë në zonë nga Uard. Por kjo nuk e shmangu humbjen e katërt në kampionat për “djajtë e kuq”, të cilët regjistrojnë zyrtarisht startin më të dobët në historinë e Premier Ligës, duke rrëshqitur në vendin e 10-të të klasifikimit.
Vetëm tre fitore për skuadrën e Erik Ten Hagut këtë sezon, e cila u vërshëllye nga tifozët e saj. Katër janë humbjet, 7 gola të shënuar dhe 11 të pësuar, duke vulosur startin më të dobët të një sezoni në kampionat në 34 vitet e fundit.
Ata barazuan rekordin e Sër Aleks Fergusonit në vitin 1989, i cili për pak sa nuk i kushtoi stolin skocezit në atë kohë.
“Unë e kuptoj”, tha trajneri Erik Ten Hag pas ndeshjes duke iu referuar vërshëllimave të tifozëve ndaj skuadrës.
“Ne luajmë në shtëpi kundër Kristal Palasit dhe duhet të fitonim, me gjithë respektin për ta. Unë e di që çdo ndeshje në Premier Ligë është e vështirë. Duhet të japësh më të mirën dhe unë e kuptoj që tifozët presin këtë. Është një nisje e keqe dhe duhet të kapim ritmin. Duhet të bëjmë më mirë. Kjo nuk është e mjaftueshme”, shtoi holandezi.