Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se vetëm referendumi është zgjidhja për situatën që po kalon vendi.
I pyetur për shkarkimin e Besnik Muçit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Meta tha se “zero surprizë nga vettingu i partisë. U shpall para pak ditësh nga zëvendëskryeministri për zotin Muçi. Ai që ditën e parë që ka hyrë në zyrë ka pasur presione politike të drejtpërdrejtë dhe indirekte që të bëhej pjesë e puçit për të penguar zonjën Marsida Xhaferllari të dekretuar nga Presidenti për të ushtruar detyrën e saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Besoj se nuk keni harruar dhe deklaratën e Xhafaj, i mazhorancës është, i cili publikisht i bëri presion dhe shantazhe anëtares së Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha që jo vetëm ka kaluar vettingun e para por dhe ka qëndruar me sforco kaq kohë në të detyrë që të mbajë hapur derën e Gjykatës Kushtetuese të cilën e bllokoi Edi Rama me disa palaço ndërkombëtarë të cilët kujtojnë se mund të tallen me popullin e Shqipërisë sa herë të duan, duke diskretituar rëndë vlerat e shteteve të nderuara që ata përfaqësojnë dhe që ne i adhurojmë aq shumë”, tha Meta në një prononcim për gazetarët.
I pyetur lidhur me deklaratën e SHBA për çuarjen e çështjes së zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Venecias, Meta tha se “me SHBA-të e kemi bërë Kushtetutën. Edhe Venecia ka folur shumë qartë. Presidenti nuk mund të bëjë dy emërime njëherazi. Presidenti është në Kushtetutë dhe jo në rregulloren e ndonjë ambasade. Por ata ua kam bërë të qartë punojnë me Kushtetutën që do të ketë ndryshuar Edi Rama, Agaçi, Dvorani. Prandaj i kam ftuar të vijnë me ekspertët e tyre të mos i mbajnë anonim dhe t’u tregoj Kushtetutën e Shqipërisë mbi të cilën unë jam betuar dhe si kryetar parlamenti e kam bërë me 140 vota me SHBA dhe me BE. Ka vetëm një zgjidhje për Edi Ramën dhe disa palaço ndërkombëtarë, se shumica janë njerëz shumë serioz dhe me integritet si zonja Glover e si shumë të tjerë. Ka vetëm një zgjidhje tani referendumi. Ata nuk i pengoj diplomatët të dalin me Edi Ramën. Unë do të dal me të gjithë shqiptarët. Duhet të marrim në dorë sovranitetin e vendit”.
Sepse, vijoi ai, “nesër është dhe dita kur populli shqiptar votoi me referendum në mënyrën më shembullore kushtetutën më të mirë që ne bëmë pas kaosit të 97-ës dhe që Edi Rama dhe disa palaço ndërkombëtarë edhe në 2008 edhe më pas, jo vetëm e minuan gjithë parimet e balancës dhe kontrollit të saj, por edhe njëkohësisht duan ta përdhosin çdo ditë”.
“Prandaj larg duart nga Gjykata Kushtetuese. Hipokritët që duan të çojnë gjoja tani këto akte në “Venecia”, ata janë hipokrite, pasi duhet të çonin zgjedhjen e Arta Markut me 69 vota në kundërshtim edhe me “Venecian” që e kundërshtoi edhe opozita. Tani duan të shpëtojnë Dvoranin. Sepse Dvorani nuk është fajtori i vetëm dhe ka pasur garanci edhe të disa palaçove ndërkombëtarë për të përdhunuar të gjithë procesin e KED, siç ka ndodhur. Shikoni dhe Avokatin e Popullit, raportin e saj. Zgjidhja është një, është referendumi dhe këtë punë ta vendosin shqiptarët”, tha Meta.
“No more “Rule of Embassy”, “Rule of Law” si në SHBA, si në Europë. Amerika është këtu (tregon zemrën), nuk është as tek Rruga e Elbasanit, as në Xibrakë as tek Rruga e Kavajës”, tha Meta./ATSH/