Lufta në shkallë të gjerë që ka nisur tashmë mes Izraelit dhe Hamasit, ka bërë që qeveria shqiptare të marrë masa për të tërhequr nga Izrali, shtetasit shqiptar që kanë dashur të largohen nga zona e konfliktit.
Ministria e Jashtme bëri të ditur se të dielën në mbrëmje ka mbërritur avioni i parë me qytetarë shqiptarë të cilët kanë kërkuar të largohen nga Izraeli pas shpalljes së gjendjes së luftës.
Avioni “Air Albania” me 40 pasagjerë, mes të cilëve edhe shtetas nga vendet e rajonit si Kosovë, Maqedonia e Veriut, të ndihmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ambasada Shqiptare në Izrael, është ulur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të dielën në mbrëmje.
Pasagjeratë janë pritur dhe përshëndetur nga Ministri Igli Hasani.
“Në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Aviv, ndërkohë që MEPJ është në koordinim edhe ministritë simotra të vendeve të rajonit për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.”- thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ambasadorja shqiptare në Izrael: Janë orë të vështira
Gjatë paradites së dielës ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe siguroi mbështetje ndaj shtetasve shqiptarë që janë në Izrael. Përmes një video nga aeroporti i Tel Aviv, ambasadorja thotë se ka vëmendje maksimale për shqiptarët, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut në këto orë të vështira.
Ambasadorja thekson se po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë të shqiptarëve.
“Unë jam Meri Kumbe, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë nl Izrael dhe aktualisht ndodhen në aeroportin e Tel Aviv. Prej 48 orësh, kam qenë në kontakt me Ministrin e Evropës dhe Punët e Jashtme z. Hasani dhe përmes Ministrisë dhe stafit të ambasadës jemi në kontakt me shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Izrael për t’i ndihmuar në largimin nga vendi. Me porosi të Ministrit ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut. Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael por në emër të qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë tonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë”, u shpreh ambasadorja.
Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit deri tani ka shkaktuar 700 izraelitë të vrarë, mijëra të plagosur dhe qindra të marrë peng. Konflikti ka shkaktuar deri tani rreth 1000 viktima nga të dyja palët.