Partia Socialiste konfirmimin zyrtar të kandidatëve për kryetar bashkie që do kandidojnë në zgjedhjet e qershorit, do ta bëjë gjatë kongresit që të mbledhë më 30 mars.
Para se të shkojë në këtë fazë, ajo ka premtuar se do të kryejë një analizë të punës së bërë nga kryebashkiakët aktualë dhe do të mbledhë kandidaturat që do të vijnë si propozime nga baza, për të bërë më pas edhe përzgjedhjen finale, që do kalojë në vendimmarrjen e kryesisë dhe më pas të kongresit. Por duket se ky rregull nuk vlen për të gjithë, pasi kur mbeten edhe afro 40 ditë nga mbajtja e kongresit, vetë kryeministri Edi Rama ka bërë konfirmimet e para të kandidatëve. Për këtë, ai ka nisur dhe një tur në bazë, të cilësuar pikërisht “Bashkia që duam” për të promovuar emrat që do të rikonfirmohen si drejtues të suksesshëm të pushtetit vendor.
KorçaTuri ka nisur pikërisht nga Bashkia e Korçës, e cila për socialistët konsiderohet si një nga bashkitë që ka performuar më mirë në këtë dekadën e fundit dhe ku kryeministri i ka hapur dritën jeshile rikandidimit të Sotiraq Filos për një mandat të dytë të plotë. Ndërsa ka diskutuar me një nga pjesëmarrësit në këtë takim, Rama ka theksuar se Sotiraq Filo i duhet Korçës edhe për ca kohë, duke e bërë tashmë fakt të kryer rikandidimin e tij.
“Këtë do ta mbajmë në punë këtu. Ky të rrijë në punë dhe t’i marrë shënim këto vërejtje, por na duhet dhe për ca kohë”, tha Rama duke lënë të qartë tashmë se nuk ka më dilemë në drejtim të rikandidimit të tij.