Ambasadori amerikan në Serbi, Anthony Godfrey, thotë se qëllimi i Amerikës është të inkurajojë dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe të vë në pah se sa do të përfitonte populli i rajonit nga gjetja e një zgjidhjeje mes Kosovës e Serbisë.
“Një zgjidhje afatgjate do të ishte ajo që do ta gjenin të dyja palët, me të cilën të dyja palët mund të jetojnë dhe që do të çonte në stabilitet rajonal. Çdo zgjidhje tjetër që është e padrejtë, e pabalansuar apo e imponuar nga jashtë nuk do të ishte afatgjate”, ka thënë Godfrey në një intervistë për televizioni publik të Serbisë.
Ai tha po ashtu se interesi i SHBA-së është ta bëjë Ballkanin Perëndimor vend të stabilitetit e prosperitetit, ku, siç thotë ai, respektohen vlerat demokratike sikurse edhe kufijtë shtetërorë, ndërsa vendet në rajon ushqejnë marrëdhëniet e mira.
“Për sa na përket neve, por edhe Serbisë, mënyra më e mirë për të arritur këtë është duke ndjekur rrugën e Bashkimit Evropian. Pra, qëllimi im është të përdor të gjithë energjinë time dhe të gjitha resurset e Ambasadës Amerikane në Beograd për ta ndihmuar Serbinë të arrijë këtë qëllim që ia ka vënë vetes, dhe ai është anëtarësimi në BE”, deklaroi ambasadori i ri amerikan, Godfrey.