Të paktën 22 persona janë vrarë dhe rreth 60 të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave në një restorant dhe sallë bouling në Maine.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ndërsa autori 40-vjeccar Robert Card sipas mediave ndërkombëtare, është arratisur pas ngjarjes.
Autori, sipas policisë, është trajnuar si instruktor i armëve të zjarrit në një strukturë stërvitore të ushtrisë amerikane në Maine.
Card ishte angazhuar në një institucion të shëndetit mendor për dy javë në verën e vitit 2023.
Një zyrtar i administratës së shkollave të qarkut, bëri me dije se shkollat publike nuk do të funksionojnë gjatë ditës së sotme.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Xho Bajden (Joe Biden) ka zhvilluar një bisedë telefonike me guvernatoren e Maine, Xhanet (Janet) Mills, senatorët Angus King e Suzan Kollins (Susan Collins) dhe kongresmenin Xhered (Jared) Golden.
Senatori King tha në një deklaratë se ishte “thellësisht i trishtuar për qytetin e Lewiston dhe të gjithë ata që shqetësohen për familjen, miqtë dhe fqinjët e tyre”.
Lewiston ka një popullsi prej rreth 38,000 njerëz dhe është qyteti i dytë më i madh në Maine pas Portland.
Sulmi i djeshëm është më vdekjeprurësi i këtij lloji në SHBA që nga gushti 2019, kur një i ri i armatosur me një AK-47 hapi zjarr ndaj klientëve kryesisht meksikanë dhe të Amerikës Latine të supermarketeve në El Paso, duke kryer atë që autoritetet e konsideruan si “një krim urrejtjeje me motive racore”.