Një zyrtar i lartë i Hamasit u largua papritur nga një intervistë për BBC kur reporteri e pyeti se si grupi militant e justifikonte vrasjen e familjeve izraelite ndërsa flinin. Rreth 1,400 izraelitë u vranë kur Hamasi nisi ofensivën më 7 tetor ndërsa mbi 200 persona u morën gjithashtu peng dhe mbeten në Gaza.
Korrespondenti i BBC-së për Lindjen e Mesme, Hugo Bachega, pyeti zëvendësministrin e Jashtëm të Hamasit në Gaza, Ghazi Hamad, se si e justifikonte sulmin. Hamad këmbënguli se udhëheqja e Hamasit nuk kishte dhënë “asnjë urdhër për të vrarë civilë”.
Kur u shtyp për faktin se qindra civilë u vranë gjatë të ashtuquajturit operacion ushtarak, ai tha se “zona ishte shumë e madhe, kishte shumë civilë atje dhe pati përleshje dhe konfrontime”.
Gazetari sqaroi se nuk është një konfrontim i thjeshtë kur ata hynë në shtëpitë e njerëzve. Hamadi më pas u përgjigj: “Mund t’ju them se nuk kishim asnjë qëllim apo vendim për të vrarë civilët.”
Gazetari vazhdon duke pyetur: “Si e justifikoni vrasjen e njerëzve ndërsa ata flenë? Si e justifikoni vrasjen e qindra njerëzve?’ Si përgjigje Hamadi nxjerr mikrofonin e tij, ngrihet nga karrigia dhe thotë: “Dua ta ndaloj këtë intervistë”.