Dy të rinj janë kapur nga policia pasi kanë goditur me grushte një efektiv policie ndërsa i kanë marrë atij edhe armën e shërbimit mbrëmjen e djeshme.
Sipas policisë, shtetasi me inicialet E. T., 34 vjeç, banues në Tiranë është vendosur në pranga ndërsa është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi R. N., 33 vjeç, banues në Kamëz.
“Këta shtetas, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00, në rrugën “Foto Xhavella”, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit, janë konfliktuar dhe kanë goditur me grushte një shtetas, (punonjës Policie jashtë shërbimit), i kanë marrë armën e shërbimit, dhe më pas janë larguar.
34-vjeçari është vetëdorëzuar më pas në Polici, ku ka dorëzuar dhe armën e punonjësit të Policisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.