Liderët e dy partive opozitare, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së janë marrë nën mbrojtje nga Policia e Kosovës.
Marrja e tyre në mbrojte është konfirmuar nga Njësia për Mbrojtjen e Afërt e Policisë së Kosovës.
“Po, me rekomandim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i është ofruar një ekip i njësisë së mbrojtjes së afërt të Policisë”, ka deklaruar për RTK-në, Valmir Klaiqi, drejtor i komunikimit në PDK.
Gjithashtu, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se Njësia për Mbrojtjen e Afërt e Policisë së Kosovës ka marrë në mbrojtje kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun.
Sipas zëdhënëses së kësaj force politike dhe njëherësh anëtare e kryesisë, Sibel Halimi policia ka marrë në mbrojtje kreun e LDK-së.
“Po, lajmi është i vërtetë. Për të gjitha informacionet e tjera, ju lutem kontaktojeni Policinë e Kosovës”, ka thënë shkurt Halimi.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se kanë marrë në mbrojtje dy liderët e opozitës së Kosovës, por nuk kanë dhënë detaje tjera se cila është arsyeja e marrjes së tyre në mbrojtje.