Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, përballja me pasojat e këtij agresioni dhe ardhmëria evropiane e Ballkanit Perëndimor, pritet të jenë çështjet kryesore të diskutimeve në takimin e ndërmjet udhëheqësve të gjashtë vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian që do të mbahet sot pasdite në Bruksel.
Në një njoftim të BE-së thuhet se takimi është një mundësi për të riafirmuar perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor, si dhe nevojën për përmbushje të qëndrueshme dhe të pakthyeshme të reformave nga vendet partnere të mbështetura nga vlerat dhe parimet e BE-së. Temat kryesore të diskutimit, thuhet në një njoftim të BE-së, do të jenë: thellimi i angazhimit politik me Ballkanin Perëndimor, afrimi me BE-në dhe avancimi i integrimit gradual, ndërtimi i bazës ekonomike për të ardhmen, zbutja e ndikimit të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë një prej çështjeve kryesore të diskutimeve, meqë ato vlerësohen thelbësore për qëndrueshmërinë e rajonit.
Në takim pritet të miratohet një deklaratë e përbashkët që është hartuar nga zyrtarët e BE-së dhe të cilën e ka parë Zëri i Amerikës.
“Ne vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e përfaqësuesit të lartë të BE-së dhe përfaqësuesit të posaçëm për bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, thuhet në projekt deklaratë në të cilën theksohet se nga palët pritet “angazhim konstruktiv për të arritur përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve që është thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e gjithë rajonit dhe për të siguruar përparimin e të dyja palëve në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”.
Më tej u bëhet thirrje të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë marrëveshjen e arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, “pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”.
Në tekstin e deklaratës theksohet thirrja për uljen e tensioneve në veri të Kosovës në përputhje me kërkesat e BE-së dhe “të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të pa bashkërenduara që mund të çojnë në tensione të reja dhe dhunë, si dhe të përmbahen nga retorika e cila nuk është në përputhje me normalizimin e marrëdhënieve.
Duke theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve fqinjësore, projekt deklarata bën thirrje për zgjidhjeve të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe çështjet e rrënjosura në trashëgiminë e së shkuarës. BE-ja u bën thirrje gjithashtu për garantimin e të drejtat dhe trajtimin e barabartë të pjesëtarëve të pakicave.
Në projekt deklaratë thuhet se qëndrimi përkrah BE-së është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë, në dritën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe sfidave të tjera të sigurisë.
BE-ja, thuhet më tej, do të vazhdojë të investojë në multilateralizëm dhe do të bashkëpunojë me partnerët për të mbrojtur dhe mbështetur rendin ndërkombëtar.
“Një vizion i përbashkët i së ardhmes përfshin vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne i nxisim ata të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së dhe të veprojnë në përputhje me rrethanat. Ne përgëzojmë ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që tashmë po demonstrojnë angazhimin e tyre strategjik duke u përafruar plotësisht me politikën e Jashtme të BE-së dhe inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë ende këtë të ndjekin këtë shembull”, thuhet në projekt deklaratë, në të cilën kërkohet përmirësimi i zbatimit të masave kufizuese dhe parandalimi i anashkalimit të tyre.
Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve të Beogradit mbi Kosovën.
Në projekt deklaratë theksohet angazhimi i BE-së për të zbutur ndikimin agresionit të Rusisë kundër Ukrainës te vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke theksuar se mjedisi gjeo-strategjik gjithnjë e më i ndërlikuar, i dominuar nga agresioni rus në Ukrainë dhe prekur rëndë nga kriza në Lindjen e Mesme, vazhdon të rrezikojë sigurinë evropiane dhe globale, projekt deklarata nënvizon rëndësinë e unitetit brenda familjes evropiane dhe partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“BE-ja rikonfirmon angazhimin e plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, bazuar në reformat e besueshme dhe parimin e meritave, që është në ne interes i ndërsjellë. Zgjerimi është një investim gjeostrategjik për paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe përparimin”, thuhet në projekt deklaratë.
Çështja e zgjerimit pritet të jetë temë diskutimesh në takimin e udhëheqësve të vendeve anëtare të BE-së i cili do t’i zhvillojë punimet të enjten dhe të premten./