Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ndërtimet e reja kanë filluar të planifikohen me synimin që në planin afatshkurtër 12-18 muaj, të ndërtohen 5 mijë banesa dhe në planin afatgjatë të ndërtohen 10 mijë banesa”.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se “është e qartë se në Durrës do të bëjmë një lagje komplet të re”.
“Kjo tani është shumë e qartë. Do të jemi shumë të kujdesshëm edhe të vëmendshëm në pikat ku janë krijuar hapësira për shkak të shembjeve e pastrimit, që të mos jenë thjesht pika ku hajde se po ndërtojmë, por të jenë hapësira që të shihen si potencial për zhvillimin e qytetit edhe me parqe të kujtesës, infrastrukturë sociale e arsimore”, tha Rama.
Ashtu sikundër, Kryeministri theksoi se në Tiranë tanimë jemi të qartë që duhet një ndërhyrje e fortë në Kombinat.
“Nevojitet prishje e gjithë atyre godinave problematike denbabaden që tani u ka ardhur dita që të prishen dhe ndërtimi i një blloku të ri banesash për të akomoduar gjithë ata njerëz, që do të humbasin shtëpinë aty në zonën e Kombinatit”, tha Rama.
Një pikë tjetër ku do të ndërtohet, sipas Ramës, është te lagjja 5 Maji, pranë lumit, një zonë ku mund të bëjmë spostimin brenda së njëjtës hapësirë gjeografike, pasi pjesa më e prekur është Kombinati dhe zona e njësisë nr. 4.
Rama tha se “një lagje tjetër më e vogël do të ndërtohet te ish-uzina e Autotraktorëve”.
“Këto 3 pika mendoj se plotësojnë nevojat dhe na krijojnë hapësirën për programin e rindërtimit me objektiv afatmesëm 10 mijë apartamente dhe afatshkurtër për 12-18 muaj, 5 mijë apartamente”, tha Rama.
Kryeministri garantoi se “infrastruktura në lagjet e reja do të jetë me të gjitha parametrat siç nuk ka sot lagje në Shqipëri”.
“Do të jetë me shkolla, me kopshte, me çerdhe, e qendra shëndetësore. Do të jetë model se si duhet të jetë Shqipëria e së nesërmes, sepse nuk ka asnjë kuptim që të ndërtojmë banesa me standarde minimaliste dhe riparime aty për aty me idenë se hajde ta kalojmë këtë se shohim më vonë”, tha Rama.
Ai theksoi se “ne duam që të jenë lagje ku të kemi miksim të familjeve të varfëra me familjet e shtresës së mesme, të kemi aktivitet ekonomik, një jetë sociale normale si në lagjet në qendër të Tiranës dhe jo të krijojmë geto ku të varfërit mbetet gjithmonë të varfër dhe fëmijët e të varfërve rriten me stigmën e të qenit të varfër”/ATSH.