Festat e fundvitit kësaj radhe janë shoqëruar nga aktivitete të larmishme dhe intensive në sheshet kryesore të qyteteve, ku muzika dhe të qeshurat e fëmijëve janë ndërthurur në mënyrë magjike.
Gjirokastra ka qenë një ndër qytet e cila ka ditur të mbajë ritmin e festimeve këtë fundvit.
Mbrëmjen e kaluar, në sheshin e qytetit është mbajtur ‘Rock Festival”, një koncert 2-ditor, i cili do të mbahet edhe ditën e sotme në qytetin e Gjirokastrës.
Kudret Alikaj, shefi i Kulturës në Bashkinë e Gjirokastrës ka dhënë detaje nga festimet, duke theksuar se aktivitetet kanë qenë të shumta dhe prezente përgjatë gjithë dhjetorit.
“Jemi sot në natën e parë të çeljes së “Rock Festival”, por nuk është vetëm ky festival që do zgjasë për dy ditë, sot edhe ditën e nesërme, por i gjithë muaji dhjetor, në Gjirokastër ka qenë një muaj feste. Çdo natë, të premte, të shtunë dhe të dielë në Pazarin e Gjirokastrës ka muzikë live. Gjatë gjithë këtij muaji janë mbajtur programe artistike nga të gjitha shkolla nga fëmijët. Teatri profesionist vetëm për ditët e fundvitit dhe Krishtlindjeve ka shfaqur një premierë të re artistike. Mendoj se është një atmosferë mjaft e gëzuar mjaft e larmishme dhe kjo ka qenë edhe strategjia e bashkisë për të sjellë në Gjirokastër sa më shumë turistë gjatë këtij dhjetori që ishte pak i ftohtë, por që aktivitetet, njerëzit, gjallëria e kanë bërë ndoshta një muaj të nxehtë si edhe muajt e verës. Natën e sotme e çel Eugent Bushpepa, me Altin Goci dhe “Urban Band”,- është shprehur Alikaj.