Dy persona kanë rënë në prangat e policisë shqiptare, për llogari të autoriteteve italiane.
Burime zyrtare nga policia e Shtetit bënë me dije se në kuadër të operacionit “Alias”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Dritan Idrizi alias Dritan Xhepexhiu dhe në kuadër të operacionit “The zone”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Elion Bejo. Ata akuzohen se janë pjesë e një bande trafiku kokaine dhe heroinë.
NJOFTIMI I POLICISE
Operacionet, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me DVP Tiranë dhe me DVP Gjirokastër. 2 shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie “Arrest në burg”, nga Gjykata e Breshias, u ndaluan me qëllim ekstradimin në Itali.
Njëri nga këta shtetas u ndalua në Tiranë, gjatë operacionit “Alias”. Shtetasi tjetër u ndaluar në Përmet, gjatë operacionit “The zone”.
Si rezultat i aksioneve të shpejta, të koordinuara dhe profesionale të shërbimeve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, si dhe i shkëmbimit të informacioneve, ndërmjet Interpol Tiranës dhe partnerëve italianë, brenda 24 orëve, në bashkëpunim me policitë vendore të Tiranës dhe të Gjirokastrës, janë finalizuar 2 operacione për kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma. Konkretisht:
-në Tiranë, në kuadër të operacionit “Alias”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi D. I. alias D. Xh., 37 vjeç. Gjykata e Breshias i ka caktuar 37-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet se gjatë periudhës 01.10.2019-31.01.2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar sasi të mëdhaja të lëndës narkotike kokainë, kryesisht në qytetet Bergamo dhe Breshia;
-në Përmet, në kuadër të operacionit “The zone”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. B., 40 vjeç. Gjykata e Breshias i ka caktuar 40-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet se gjatë periudhës 07.10.2019-26.10.2019, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka shitur lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, në doza, me vlerë rreth 17 000 euro.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën, për të ekstraduar 2 shtetasit, në Itali.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.