Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara, kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke, Javelin.
Në një deklaratë zyrtare pasi priti ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili e informoi për vendimin për pranimin e kërkesës, Vuçiç është shprehur se vendimi ishte “shumë zhgënjyes” për Beogradin, por se Serbia do të punonte së bashku me SHBA-në për të ruajtur marrëdhëniet Serbi-SHBA.
“Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”, është shprehur më tej Vuçiç.
Në deklaratën e lëshuar nga zyra presidenciale për shtyp, thuhet gjithashtu se Vuçiç dhe Hill kanë diskutuar për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe politike dhe ekonomike, pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, situatën në Kosovë-Metohi dhe vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe gjeopolitiken aktuale.
Çfarë janë raktetat anti-tank “Javelin” dhe si funksionojnë?
Sistemi i raketave luftarake Javelin është një sistem raketash taktik i lëvizshëm nga njeriu, me rreze të mesme veprimi që i siguron Ushtrisë Amerikane dhe Trupave Detare efekte precize të zjarrit të drejtpërdrejtë për të mposhtur tanket kryesore të betejës dhe automjetet e tjera të blinduara gjithashtu.
Ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë pas lëshimit dhe mund ta ngarkojnë për gjuajtjen e radhës. Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pasi të lëshohet. Një raketë Javelin kushton rreth 180 mijë dollarë.
Ushtria amerikane ka prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla deri tash. Rreth 20 deri në 25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme – pjesa tjetër është përdorur për testime.