I veshur me uniformën e një admirali të flotës Britanike, me medalje dhe me dorën te shpata, por me kokën e zbuluar, kështu shfaqet mbreti Charles III në portretin e ri zyrtar që u zbulua ditën e djeshme e cila do të varet në ndërtesat publike në Mbretërinë e Bashkuar.
Në Britani kanë shpërthyer polemika, pasi portreti i tij kushtoi 8 milionë paund nga qeveria, raporton BBC.
Fotoja është realizuar nga fotografi Hugo Burnand, i cili kishte bërë edhe fotot zyrtare të kurorëzimit dhe fotot e dasmës së Mbretit dhe Mbretëreshës Camilla.
Sundimi i mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II zgjati aq gjatë sa nuk kishte asnjë fotografi të vetme zyrtare të varur në ndërtesa publike, por një sërë fotografish nga periudha të ndryshme.
Dhe nuk do të ketë asnjë detyrim për t’i zëvendësuar këto, me Zyrën e Kabinetit që thotë se portreti i mbretit Charles mund të varet së bashku me fotografitë ekzistuese të mbretëreshës së ndjerë.
Portreti i ri zyrtar mund të shfaqet në mijëra ambiente publike në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, nga spitalet dhe zyrat e këshillit deri te stacionet policore dhe zjarrfikëse.
Në çdo rast, shkollat dhe mijëra zyra të tjera publike nuk janë të detyruara ta ekspozojnë atë dhe mund ta kërkojnë pa pagesë brenda datës 2 shkurt në formatin A3, të printuar në letër “cilësi të lartë” dhe me kornizë lisi.
Organet publike u ftuan të aplikonin për fotografinë e re të Mbretit në nëntor, por një zëdhënës i Zyrës së Kabinetit tha se nuk kishte shifra se sa kërkesa ishin pranuar deri më tani.
“Çfarë humbje e turpshme parash”, akuzojnë aktivistët, të cilët ishin shprehur kundër tij që në nëntor, në momentin e prezantimit. Lideri i sindikatës së mësuesve, Daniel Kebede, sipas asaj që shkruan BBC, komentoi me ironi mbi iniciativën: “Po i rrjedh çatia? Lagështia hyn nga korniza e dritares së plasaritur? Ajo që i duhet shkollës suaj është një imazh i mbretit Charles i shtypur në letër me cilësi të lartë”.
Në vend të kësaj, Zëvendëskryeministri Oliver Dowden vlerësoi foton: “Të tregosh atë na kujton shembullin që jep Madhëria e Tij në shërbimin ndaj komunitetit”.