Presidendi Biden dhe ish-Presidenti Trump po vazhdojnë fushatën për zgjedhjet paraprake, ndërsa rezultatet në shtetet Ajova dhe Nju Hampshër, tregojnë për një mundësi të madhe të përballjes për herë të dytë mes tyre.
Presidenti Joe Biden po zhvillon fushatë këtë fundjavë në Karolinën e Jugut me synimin për të përçuar mesazhin se ai është besnik ndaj shtetit që e ndihmoi atë gjatë fushatës së vitit 2020 dhe vendosmërinë për të rifituar besimin e votuesve afrikano-amerikanë në mbarë Shtetet e Bashkuara.
Votuesit me ngjyrë luajtën një rol vendimtar për demokratin Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Por anketat tregojnë se mbështetja e tyre për presidentin ka rënë.
“Ju jeni arsyeja pse unë jam president. Ju jeni arsyeja pse Kamala Harris është zëvendëspresidente, një arritje historike. Dhe ju jeni arsyeja pse Donald Trump është një ish president i mundur. Ju jeni arsyeja që ne do të fitojmë dhe do ta mposhtim atë përsëri”, tha Presidenti Joe Biden gjatë një tubimi në Karolinën e Jugut.
Gjatë fjalimit të tij zoti Biden u ndërpre disa herë nga protestues pro palestinezë, të cilët u larguan menjëherë nga forcat sigurisë.
Ndër të tjera zoti Biden shprehu gatishmërinë për të marrë masa ekstreme për të kufizuar imigracionin në kufirin e vendit me Meksikën, ndërsa ligjvënësit vazhdojnë bisedimet për një reformë në politikat e imigracionit. Zoti Biden tha se ai do ta mbyllte kufirin “menjëherë”, nëse një projektligj i tillë, do të miratohej. You
Por zoti Trump akuzoi administratën Biden lidhur me situatën në kufi gjatë një fjalimi të shtunën në Las Vegas. Ai tha se nëse do të fitonte Shtëpinë e Bardhë, Teksasi do të ketë mbështetjen e plotë të administratës së tij për të siguruar kufirin me Meksikën. Ai tha se fluksi i emigrantëve ishte një katastrofë dhe “pushtim” i vendit.
“Nën Joe Biden-in, vendi ynë po vdes. Kufijtë janë të hapur, janë një plagë e madhe që lejon futjen e drogës, krimit dhe miliona kalime të paligjshme në vendin tonë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në vendin tonë”, tha zoti Trump.
Ish-Presidenti Trump ka shprehur pakënaqësi mbi faktin që rivalja e tij e fundit në kampin republikan, Nikki Haley, nuk ka pranuar të tërhiqet nga gara.
Në një tubim në Karolinën e Jugut të shtunën, zonja Nikki Haley tha se vendosmëria e saj për të qëndruar në betejën për të fituar emërimin e Partisë Republikane po shkakton dëshpërim për zotin Trump.
“Zgjedhjet paraprake treguan rritjen e mbështetjes dhe një Donald Trump-i të çekuilibruar. Ai shfaqi nervozizëm në podium dhe fliste për hakmarrje”, tha zonja Haley.
Ajo përmendi moshën e zotit Trump, mungesën e detajeve të politikave të tij dhe problemet ligjore me të cilat përballet./ VOA