Në një letër të firmosur nga 56 organizata të shoqërisë civile drejtuar Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit kërkohet tërheqja e projektligjit nga axhenda e Kuvendit dhe rihapja e një procesi të ri konsultimi me publikun e komunitetin e ekspertëve të mjedisit.
Ndryshimet ligjore erdhën si nismë e disa deputetëve socialistë dhe parashikojnë hapjen e rrugës investimeve dhe aktivitetit industrial në Zonat e Mbrojtura natyrore duke ulur nivelin e mbrojtjes së tyre dhe duke u dhënë bashkive të drejtë administrimi mbi këto territore.
“Të ndërmerrni sa më shpejt procedurat për tërheqjen e shqyrtimit të këtij projektligji nga seanca plenare; Të bëhet publik relacioni që shoqëron projektligjin; Kuvendi të rihapë procesin e konsultimit publik së bashku me dëgjesën publike, proces i cili nuk është realizuar plotësisht dhe është penguar edhe nga defektet teknike të platformës së konsultimit”- thuhet në letrën e firmosur nga organizatat.
Organizatat kërkojnë që ky projektligj të shqyrtohet përmes një procesi të rregullt ligjor konsultues me publikun dhe të kalojë në dëgjesë me aktorët e interesit për ta bërë transparent këtë proces.
Projektligj u kundërshtua gjithashtu të martën nga drejtues të këtyre organizatave gjatë seancave dëgjimore në Komisionin parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.
Taulant Bino, drejtues i shoqatës së Orintologjisë, u tha deputetëve se këto ndryshime ishin një tentativë për t’i trajtuar këto zona si “lulishte bashkiake”.
“Projekt-ligji i barazon zonat e mbrojtura në “lulishte bashkiake” jo natyrore të cilat pavarësisht funkioneve që kryejnë për komunitetin, nuk kanë asnjë vlerë dhe funksion natyror nga pikëpamja e habitateve”- tha ai.
Sipas tij, ‘parimi i përshtatshmërisë’ që propozojnë deputetët e PS-së është i rrezikshëm dhe ligjëron shkatërrimin e ZM-ve.
Ai solli si shembull zonën e Pishë Poros në Vlorë, ku një pjesë e peisazhit të mbrojtur të pyllit me pisha u dogj gjatë verës.
“Aktualisht kjo zonë nuk e përmbush parimin e përshtatshmërisë dhe ky parim lehtëson tjetërsimin e saj”- tha Bino duke shtuar se, “nëse është djegur me qëllim për hapjen e trojeve, atëherë ky parim zyrtarizon qëllimin e fshehur të keqbërësit”.
“Tendenca e projekt-ligjit është trajtimi i zonave të mbrojtura, thjesht dhe vetëm si zona ekonomike”- këmbënguli Bino, në oponencën para komisionit, ku parashtroi argumentet për çdo nen të ligjit.
Sipas tij, ndryshimet parashikojnë që në brendësinë dhe zemrën e këtyre zonave mund të zhvillohet çdo lloj aktiviteti ekonomik i paqëndryeshëm dhe i papranueshëm për ruajtjen e integritetit ekologjik të tyre, habitateve natyrore dhe specieve të faunës dhe florës së egër që ato strehojnë.
Të njëjtin qëndrim ndau me komisionin edhe Mirjan Topi, drejtor ekzekutiv i Guidës së Shpendëve, i cili kërkoi tërheqjen e projektit duke e quajtur konfuz dhe në kundërshtim të hapuir me udhëzimet e bashkësisë ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës.
“Ky projektligj bie ndesh me qëllimin e ligjit për ZM, amendimet krijojnë kushte që Këshilli Kombëtar i Territorit të lejojë të ndërtohen brenda tyre vepra të mëdha infrastrukturore, nxjerrja hidrokarbureve, rrethime të karakterit urban, të cilat e shfrytëzojnë dhe e degradojnë natyrën”- u tha ai deputetëve.
Po ashtu, ai kundërshtoi propozimin për zhvendosjen e kompetencave në varësi të bashkive për 20 përqind të territorit të këtyre zonave dhe heqjen e zonimit brenda tyre.
Sipas Topit ndryshimet e ligjit mund të vinin pas një analize të zbatueshmërisë së ligjit aktual dhe një konsultimi të gjerë me publikun, gjë e cila ska ndodhur në këtë rast.
Kryetari i komisionit Arben Pëllumbi u tha drejtuesve të organizatave mjedisore se pavarësisht se projektligji ishte futur në kalendar për tu votuar në seancën e datës 15 shkurt, Kuvendi nuk kishte asnjë ngut për ta miratuar pa dëgjuar palët e interesuara.
Ai përsëriti disa herë se ndryshimet nuk e preknin qëllimin e ligjit për mbrojtjen e këtyre zonave dhe i mbrojti propozimet si nevojë e ardhur nga bashkitë për të shfrytëzuar potencialin e tyre.
Ndërsa, deputeti Fadil Nasufi, një nga nismëtarët e ndryshimeve, argumentoi se, s’mund të lihej 1/5 e territorit vetëm për konservim, pa parë dhe përfitimet ekonomike.
Deputetët e PS-së që firmosën draftin e projektligjit thonë se morën shkas nga një letër e firmosur nga një dyzinë kryebashkiakësh socialistë që kërkonin ndryshimin e ligjit dhe të drejtën për të administruar këto zona në territorin e tyre për nevoja të zhvillimit ekonomik e turistik.