Politikani kosovar Nuredin Ibishi Leka, ish-deputet dhe ekspert i fushës së sigurisë, duke analizuar tensionet e reja që Serbia po synon të krijojë në Kosovë, gjykon se Serbia këtë radhë do të përdorë dinarin si pretekst për t’i kundërvënë bashkësinë ndërkombëtare dhe për të realizuar synimin e saj, krijimin Republika Srpska në Kosovë, por “në këtë drejtim jam i sigurt se Qeveria e Kosovës nuk do të lëshojë pe”, nënvizoi ai.
I ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, z. Ibishi Leka ndër të tjera gjykoi se:
“Përherë, një çështje që s’ka të bëjë me sigurinë për serbët, ata e konvertojnë në çështje të sigurisë. Ata kanë paralajmëruar se përmes Rusisë, Kinës dhe aleatëve të tjerë të thërrasin Këshillin e Sigurimit, pra, nivelin më të lartë të Kombeve të Bashkuara dhe të diskutojnë për tensionet, që ata vetë i krijojnë.
Në këtë formë, zor e kanë të kërkojnë përmes kësaj Rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës për ndaljen e pasimit të parave, por dhe të financimit të terrorizmit (financimin e Radoiçiçit dhe të grupeve të tjera kriminale dhe terroriste në Kosovë, pra janë dy organizata terroriste), të cilat direkt nëpërmjet fondeve të Serbisë financohen në Kosovë, por edhe pastrimin e parave që gjithandej bëhet nga oligarkët serbë, por edhe nga qeveria serbe.
Pra, këta do të mundohen tani, duke vënë në funksion veç atyre mjeteve të njohura, si bllokimin e rrugëve, protestat, edhe faktorin ndërkombëtar me qëllim që kjo të pengohet.
Mendoj se në këtë drejtim Qeveria ka bërë punën e duhur por duhet, sipas meje dhe sipas disa analistëve të tjerë, duhet një kohë me qëllim që të njoftohen gjerësisht lidhur me procedurat e konvertimit të dinarit në euro dhe kjo ka hasur në një reagim edhe te opinioni i bashkësisë serbe në Kosovë dhe i disa komuniteteve të tjera që financohen nga Serbia, siç janë katër komunat në Dragash, përveç atyre që u shquan si në Pejë, Klinë, Istog dhe në qendër të Prishtinës me emërtime të ndryshme – qëllimin e kanë krejt të spiunazhit. Ajo në qendër ku është Policia e Kosovës, që për vite me radhë, që nga çlirimi i Kosovës, ka qëndruar qendër huminatare siç ata e quajnë, por që në realitet i ka shërbyer përherë interesave të Serbisë_.
Mendoj se prapë serbët, ata që lehtësisht i bëjnë këto, Vuçiçi, do të kërkojë në një formë krijimin e bashkësisë së komunave, por me një arsyetim tjetër, me prerogativa ekzekutive, jo me çfarë ka gjykuar Gjykata Kushtetuese, që të krijojë Republika Srpska në Kosovë.
Pra, tani do të jetë insistimi nëpërmjet konvertimit të euros. Do të kërkohet krijimi urgjent bashkësisë së komunave serbe, që të realizojnë synimet e tyre për krijimin e një Republika Srpska në Kosovë dhe të dezintegrojnë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.
Kështu që në këtë drejtim jam i sigurt se Qeveria e Kosovës nuk do të lëshojë pe përkundër presionit ndërkombëtar.
Por, në përfundim them se duhet kohë në zbatim të kësaj rregulloreje nga vetë krijimi i institucioneve mes komunitetit serb me shumicë, që të krijohen institucione financiare por edhe procedurat e caktuara të konvertimit të eurove që vijnë si ndihmë për të ardhurat personale nga sistemi paralel edhe në Shëndetësi, Arsim, pensionet, pagat që ata japin në mënyrë gati ilegale, por që nga tani e tutje do të jenë nën mbikëqyrje të institucioneve financiare të Kosovës.”/ar.sh/SYRI.NET
Ndiqni intervistën e plotë në studion e Kafe Shqeto.