Këtë të martë është nënshkruar dokumenti përfundimtar i marrëveshjes për njohjen e pensioneve Shqipëri-Itali nga ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Igli Hasani dhe Antonio Tajani.
Kryeministri Edi Rama tha sot përmes një postimi në Facebook-un e tij, se nga kjo marrëveshje e rëndësishme mes shteteve përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në vendin tonë.
“Mirëmëngjes, dhe me lajmin e mirë që sot firmoset dokumenti përfundimtar i marrëveshjes së shumëpritur për njohjen reciproke të Sigurimeve Shoqërore në Romë, ku mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në Shqipëri janë përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama më herët.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të të dy vendeve tona.
Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.
Pas firmosjes, marrëveshja para se të hyjë në fuqi duhet të kalojë për ratifikim në Kuvendet respektive.