Brajan Gruda është dëshira e madhe e kombëtares shqiptare të futbollit. Sulmuesi që luan edhe në krah si i avancuar vlen 9 milionë euro dhe prej dy sezonesh është pjesë e ekipit të parë të Mainz në Bundesligë.
19-vjeçari i vitlindjes 2004 tanimë është në planet e Kombëtares. Më pak se dy javë më parë vetë trajneri Sylvinho me stafin e tij udhëtuan drejt Gjermanisë dhe ndoqën ndeshjen mes Frankfurt dhe Mainz, me Grudën që ishte në tribunë për shkak dëmtimi.
Ky udhëtim nuk ka mbetur pa u vënë re, me Sylvinhon që i ka dërguar një mesazh të qartë Grudës se e dëshiron në ekip. Në 838 minutat e këtij sezoni në elitën e Gjermanisë, Gruda ka shënuar një gol në 17 ndeshje dhe është “asi” i ekipit për të ardhmen.
I lindur në Speyer në 31 majin e 2004, Gruda ka qenë pjesë e moshave të Gjermanisë dhe paçka moshës më të vogël luan me U-21 e Panzerave, ku është aktivizuar në pesë takime.
Gruda luan në pozicionin e Jasir Asanit dhe nëse djaloshin e ‘thërret gjaku’ dhe i jep dakordësinë trajnerit, atëherë Kombëtarja do ‘blindohej’ në atë pozitë.