“Big Brother” ka tërhequr vëmendjen e publikut prej më shumë se 1 muaji. Veç lojës së ashpër që banorët po zhvillojnë brenda shtëpisë më të famshme, një garë e ashpër për vëmendje po bëhet edhe jashtë, për ndjekës në rrjetet e tyre sociale.
Ndërkohë janë listuar 10 banorët që këtë javë kanë pasur aktivitetin më të lartë në rrjetet e tyre sociale. Aktori Julian Deda, në ndryshim nga java e kaluar ku nuk kishte pësuar ndryshime në numrin e ndjekësve, këtë herë ai ka futuar 3 mijë ndjekës më shumë. Nga 438K, tani numëron 441K. Juli është ndër protagonistët e kësaj loje, ku dhe pak javë më parë u zgjodh edhe si një ndër të preferuarit. Duket se shifrat në rrjetet e tij sociale e konfirmojnë këtë javë pas jave.
Roza Lati ka shtuar 2 mijë ndjekës duke shkuar kështu në 825K, që para se të bëhej pjesë e lojës, moderatorja kishte një numër të madh ndjekësish, dhe shifrat vetëm vijojnë të shtohen, duke i dhënë Rozës një rrjet edhe një rritje të numrave.
Shumë e komentuar në rrjet është dhe Ilnisa Agolli. Që nga java e kaluar, gazetarja ka shtuar plot 9.9K në numrin e ndjekësve. Gazetarja shpesh në shtëpi ka edhe rolin e antagonistes, megjithatë në Instagram, shifrat janë rritur ndjeshëm për të, duke treguar se publiku e preferon atë.
Historia e dashurisë që ajo dhe Meritoni kanë nisur ka pasur gjithnjë kontestime, por duket se edhe ata kanë korrur tashmë ndjekësit e tyre, duke u konsoliduar si çift edhe për publikun në rrjetet sociale. Një tregues ky që duket edhe në rritjen që Meritoni ka patur në Instagramin e tij. Ky i fundit ka fituar 6 mijë ndjekës brenda kësaj jave.
Njësoj me rritje si javën e kaluar, edhe këtë herë Vesa Smolica rezulton me një numër të shtuar, më saktësisht me 6.8K më shumë. Këtë javë ajo numëron 56.6K. Një shifër kjo shumë e lartë për Vesën, e cila në vendin tonë, nuk gëzonte një popullaritet të lartë. Shifra këto, që shpesh në rrjet paragjykohen edhe si ndjekës të blerë.
Nga ana tjetër, Rike Roçi ka fituar plot 9 mijë ndjekës dhe tani numëron 132K. ndonëse në dinamikat e shtëpisë, Rikja këtë javë është shfaqur më e tërhequr, në Instagramin e saj, shifrat vetëm vijojnë të rriten.
Po ashtu, Heidi Baci rezulton me një numër të madh rritje, prej plot 18.9K. Kujtojmë se Heidi po komentohet shumë për një romancë me Romeo Veshaj. Heidi u bë pjesë e “Big Brother” vetëm pak kohë pasi përfundoi eksperiencën e saj në Grande Fratello. Por, natyrisht që konkurrentja nuk e priste këtë rritje kaq të madhe në formatin shqiptar.
Një pjesë e madhe e ndjekësve janë edhe fansa të saj dhe të Romeos, që kanë nisur një histori dashurie, duke u shndërruar në një ndër dyshet më të dashura të këtij formati. Ashtu si Heidi, edhe ky i fundit ka shtuar shumë ndjekës këtë javë, plot 24K dhe tani ka 319K ndjekës.
Romeo është ndër banorët më të pëlqyer edhe jashtë, ku vëmendjen e ka pasur gjithnjë të madhe. Madje edhe ai doli pak kohë më parë, si një nga banorët e preferuar të këtij formati.
Sara Gjordeni, e cila po shijon një lidhje me reperin Bardhi brenda shtëpisë, këtë javë ka fituar 3 mijë ndjekës, duke numëruar tashmë 70K në “Instagram”. Ndonëse në rrjet është kontestuar shpesh sjellja e saj, sidomos karshi Bardhit, duket se edhe Sara po korr ndjekësit e saj të.
Po ashtu, shumë e komentuar në rrjet dhe pjesë e shumë debateve të forta brenda shtëpisë, është dhe Erjola Doçi, këtë javë ajo ka fituar 5 mijë ndjekës më shumë.