Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti të enjten në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar ndër të tjera edhe për Rregulloren e re të BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb.
Sipas Presidencës, Osmani e Hovenier i kanë dhënë fokus të veçantë propozimeve të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e kësaj rregulloreje.
“Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, Presidentja Osmani theksoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e SHBA-ve për sovranitetin, kushtetueshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin për sa i përket agjendës ndërkombëtare në muajt në vijim si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.