Superliga shqiptare e futbollit mbylli javën e 25-të. Të hënën nën dritën e prozhektorëve u zhvilluan dy duele, me Dinamon që humbi 0-1 në “shtëpi” me Vllazninë, ndërsa Tirana dhe Laçi barazuan 1-1 në “Elbasan Arena”.
Në Durrës, Vllaznia e Qatip Osmanit ia doli të fitonte me vendasit e Dinamos. Duhej supergoli i Rejan Alivodës në minutën e 28-të që ndeshja të fliste për shkodranët, teksa Dinamo e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Rustem Hoxhës. Tanimë Vllaznia me 43 pikë merr vendin e dytë në klasifikim, duke vijuar formën e mirë me Qatip Osmanin në stol.
Në “Elbasan Arena”, Tirana dhe Laçi barazuan 1-1. Trajneri i bardhebluve Erbim Fagu debutoi me një tjetër barazim edhe në Superligë, duke vuajtur organikën e pakët në stol. Ndeshja nisi “malore” për Laçin, që pa Paulo Junior të dilte me karton të kuq pas 19 minutash lojë. Sfida u zhbllokua nga Regi Lushkja në minutën e 54, para se Myrta të barazonte në të 79 minutë. Vetëm dy minuta në fushë iu deshën të riut për të vendosur ekuilibrat.
Tanimë java e 26-të e Superligës zhvillohet të enjte dhe të premte, me “Klasiken” Vllaznia – Tirana që luhet në “Loro Boriçi”.
JAVA 26
Laçi-Skënderbeu 01.03.2024 13:30
Egnatia-Dinamo 01.03.2024 13:30
Partizani-Kukësi 01.03.2024 17:00
Vllaznia-Tirana 02.03.2024 17:00
Teuta-Erzeni 02.03.2024 17:00