Në Shqipëri, Këshilli i Ministrave kërkon që gjendja e jashtëzakonshme të shtyhet deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.
Më 26 nëntor 2019 Shqipëria u trondit nga një tërmet i fuqishëm i cili u mori jetën 51 personave si dhe plagosi mijëra të tjerë. Nga ky tërmet me mijëra familje mbetën pa shtëpi pasi disa pallate u shembën dhe disa të tjerë u shpallën të pabanueshëm.
Kërkesën e Qeverisë për të shtyrë gjendjen e jashtëzakonshme, Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, e konsideron si përpjekje të kryeministrit Edi Rama për t’ju shmangur zgjedhjeve të parakohshme. Kryemadhi tha se Rama po kërkon kohë për të instaluar sistemin autokrat.
“Sot kemi një kryeministër që po kërkon shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Parlament deri në muajin mars, i cili ka të bëjë për sa i përket largimit të zgjidhjes politike që ka sot Shqipëria, që mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe kërkon një spostim të tillë për të fituar kohë dhe për të vazhduar në instalimin e atij sistemi autokrat që e kanë shumë vende të tjera, duke kërkuar të bëjë një kopje të shëmtuar”, u shpreh Kryemadhi.