Mbrëmjen e djeshme, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është bashkuar për iftar me të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve, në Gjinoc të Komunës së Suharekës.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri shprehu kënaqësinë që ishte aty, duke iu dëshiruar të gjithë atyre që janë agjërueshëm, agjërim të lehtë, me urimin që Zoti t’u japë forcë, besim, shpresë e mirëqenie.
“Ky është një muaj kur i kthehemi vlerave shpirtërore, kur e shtojmë solidaritetin me njëri-tjetrin e për njëri tjetrin, dhe me besimin në zemër dhe përkushtimin shpirtëror ndihmojmë të tjerët edhe veten tonë, për qetësi shpirtërore e për besim për të ardhmen në Zotin dhe gjithashtu në dashurinë për njerëzit, që është e domosdoshme për jetë të mirë e të dinjitetshme’’, shprehet Kryeministri.
Teksa vlerësoi kontributin e tyre në shoqëri, në familjet e tyre, ai tha se është e domosdoshme që tash ne sado pak të përpiqemi të jemi pranë të moshuarve, për nevojat lidhur me shëndetin dhe mirëqenien. Me këtë rast Kryeministri falenderoi edhe bamirësin z.Halil Kastrati, për punën që po e bën. Në librin e përshtypjeve, kryeministrit shtoi se ishte kënaqësi të jetë dëshmitar dhe përjetues i dashamirësisë së kësaj shtëpie të të moshuarve, me kujdesin profesional dhe zemërgjerësinë humane.