I dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka bërë me dije se diskutimet për vendimin për transaksionet me para të gatshme në Kosovë do të vazhdojnë të hënën e ardhshme (25 mars) në Bruksel.
Me një postim në rrjetin social X, Lajak deklaron se diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit me kryenegociatorët e Beogradit dhe Prishtinës, Petar Petkoviq dhe Besnik Bislimi, si dhe për ndikimin e vendimit në transaksionet me para të gatshme. “Ne ramë dakord që të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa liderët do të duhet të merren me Marrëveshjen”, ka shkruar ai.
Një ditë më parë kryenegociatorët e Beogradit dhe Prishtinës u takuan në Bruksel për rregulloren e BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit serb prejh 1 shkurtit dhe për të diskutuar për Marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin e saj të Zbatimit.
Kryenegociatorët e dy vendeve, kanë diskutuar të martën në Bruksel për këtë çështje dhe është arritur pajtueshmëri që deri më 22 mars palët t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve.
Komuniteti ndërkombëtar e ka përsëritur disa herë që nuk e kundërshton legjitimitetin e vendimit, mirëpo nuk është dakord me shpejtësinë e zbatimit të vendimit, pa ofruar alternativa për serbët në Kosovë.